Lokalet 2021

Kronika Zgjedhore/ Nga AAK-ja premtohet zhvillim ekonomik në Gjakovë e Prizren

Me premtime të shumta po i vazhdojnë fushatat virtuale për zgjedhjet e 17 tetorit.

Kreu i Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës të shtunën, Ramush Haradinaj së bashku me kandidatin për kryetar të Prizrenit, Lulzim Kabashi, e kanë hapur fushatën zgjedhore në këtë qytet.

Haradinaj për qytetarët premtoi zhvillim ekonomik dhe mundësi të reja për punësim.

E, me mburrje për mandatin e kaluar dhe me premtime për katër vjetët e ardhshëm e ka hapur fushatën kandidati për Gjakovën, Ardian Gjini.

Gjini për qytetarët e Gjakovës ka premtuar zhvillim ekonomik dhe përfundim të ndërtimit të stadiumit.

“Në 4 vitet që vijnë do të përfundojmë stadiumin, do t’i përfundojmë edhe dy lumenj të tjerë. Do të realizojmë atë që shumëkush veç flet e që janë Zonat e Zhvillimit Ekonomik”, ka thënë ai.

Krahas premtimeve ai ka përmendur edhe sukseset që, sipas tij, ka pasur Gjakova gjatë 4 vjetëve nën qeverisjen e tij.

“Gjatë kësaj periudhe 4-vjeçare janë realizuar qindra projekte të mëdha e të vogla, numri i të punësuarve të regjistruar është rritur me rreth 4000, të hyrat janë rritur në vëllim 70 %, investimet 300 %, jeta kulturore është ringjallur…”

Gjithashtu, edhe kandidati për Klinën, Zenun Elezaj, nëpërmjet rrjeteve sociale e ka bërë të ditur koalicionin parazgjedhor me Partinë Liberale Egjiptiane.

Ai ka premtuar dhe është zotuar se, në rast të fitores, do të punojë vetëm për projekte të dobishme për Klinën.

Edhe kandidatë të tjerë si Smajl Latifi, Bekë Berisha, Nazim Gagica e të tjerë i kanë shfrytëzuar rrjetet sociale për vazhdim të fushatës për zgjedhjet e 17 tetorit.