Lifestyle

Personat me bel më të gjerë kanë nivel të ulët të vitaminës D

Njerëzit e trashë të cilëve u mblidhen depozita dhjamore rreth belit, kanë mangësi të vitaminës D, u konstatua kështu në një studim të kryer nga Universiteti i Amsterdamit.

Yndyra në mëlçi gjithashtu lidhet me një nivel të reduktuar të ekspozimit ndaj dritës së diellit tek meshkujt me mbipeshë, por jo edhe tek femrat, transmeton Koha.net. Nuk është e qartë nëse mungesa e vitaminës D kontribuon në akumulimin e yndyrës së barkut apo obesiteti e redukton nivelin e vitaminës.

Hulumtimi i mëhershëm ka sugjeruar se ulja e nivelit të vitaminës D çon në artrit, astmë, dhe diabet të tipit 1, sepse e ka rolin e forcimit të imunitetit dhe parandalimit të inflamacionit.

“Personat të cilët kanë bel më të gjerë do të duhej ta kontrollojnë nivelin e vitaminës D, por ende nuk e kemi gjetur shkakun e drejtpërdrejtë ose lidhjen midis nivelit të vitaminës D dhe obesitetit. Sido që të jetë, lidhja tregon për rolin potencial të vitaminës D në grumbullimin e yndyrës abdominale”, tha dr. Rachida Rafiq, udhëheqëse e studimit.

Studiuesit e analizuan yndyrën abdominale dhe yndyrën në pjesë të tjera të trupit të njerëzve prej moshës 45-65 vjeç, të cilët kishin marrë pjesë në studimet e mëparshme. Gjithashtu, atyre u është matur niveli i vitaminës D, përcjell Koha.net.

Më parë u theksua rëndësia e kësaj vitamine e cila, sipas shkencëtarëve, ndihmon në “riparimin” dhe parandalimin e dëmtimit të zemrës, e stimulon prodhimin e acidit nitrik, i cili e rregullon qarkullimin e gjakut dhe e parandalon mpiksjen e gjakut.

Gjetjet u prezantuan në Shoqatën evropiane të endokrinologëve në konferencën vjetore në Barcelonë.