Lifestyle

Kosova me 1,300 të sëmurë nga skleroza multiple

Me moton “Bashkë në luftë kundër sklerozës multiple”, sot është shënuar dita botërore e sklerozës multiple.

Me këtë rast, dr. Nexhmedin Shala, drejtor i Klinikës së Neurologjisë dhe nënkryetar i Shoqatës së neurologëve të Kosovës, tha se përmes shënimit të kësaj dite kanë për qëllim të bëjnë sensibilizimin e opinionit dhe vendimmarrësve për luftën kundër sklerozës multiple.

Sipas tij, Kosova ka të evidentuar mbi 1300 persona të diagnostikuar me sklerozë multiple, përderisa aktualisht në terapi janë vetëm 100 prej tyre. Ai tha se nga skleroza multiple janë të goditura grup-moshat e ndryshme, duke filluar nga mosha 15 vjeçare e tutje.

Dr. Shala, njoftoi se Klinika e Neurologjisë ka staf të mjaftueshëm profesionalë për trajtim të kësaj sëmundje, por nevojitet përkrahje më e madhe në trajtim me terapi.

Në anën tjetër, z. Labinot Demi nga Shoqata e pacientëve me sklerozë multiple, tha se nevojitet përkrahje më e madhe për këtë kategori të pacientëve dhe mbulim i formave të terapisë për ta, ngase momentalisht në terapi janë vetëm 100 pacientë.

Ai lavdëroi punën e stafit shëndetësor të Klinikës së Neurologjisë, të cilët sipas tij në vazhdimësi japin përkrahje profesionale për këtë kategori të pacientëve.

Skleroza multiple është sëmundje e sistemit nervor, e cila paraqitet me ankesa dhe dhimbje të ndryshme, të cilat vijnë kohë pas kohe. Ankesat tipike të kësaj sëmundje janë: ligështimi (dobësimi) në duar apo këmbë; ndjenja e të qenit të pirë (shtangur) dridhjet, artikulimi i paqartë dhe pengesa në shikim.