Lifestyle

Fasulet, leblebitë dhe bizelet mund të ndihmojnë për dobësim

Descriptive Text

Fasulet, leblebitë, bizelet, thjerrëzat janë ushqime modeste, të cilat mund të ofrojnë humbje peshe, raportojnë hulumtuesit kanadezë.

Një analizë e re e të dhënave nga 21 prova klinike në këto ushqime - të njohura kolektivisht si “bishtajore” - konstaton se ato mund t’i ndihmojnë personat në dietë të ndihen të ngopur, dhe t’i humbin kilogramët e padëshiruar, transmeton Koha.net.

“Edhe pse humbja e peshës ishte e vogël, gjetjet tona sugjerojnë se përfshirja e thjesht e bishtajoreve në dietën tuaj mund t’ju ndihmojë të humbni peshë, dhe ajo që është më e rëndësishmja, t’ju parandalojë që ta riktheni atë pasi ta keni humbur”, tha autori kryesor i studimit Russell de Souza, studiues në Spitalin St. Michael në Toronto, në një deklaratë për shtyp në spital.

Një ekspert nuk ishte i befasuar nga gjetjet.

“Këto lloje të bishtajoreve janë disa nga ushqimet më të nënvlerësuara,” tha Dana Angelo White, nutrologe dhe asistente profesoreshë e mjekësisë sportive në Universitetin Quinnipiac në Hamden.

“Ato janë plot me fibra, proteina, vitamina dhe minerale,” vuri në dukje ajo. “Ka kuptim që ato ndihmojnë në lehtësimin e dobësimit dhe reduktimin e kolesterolit kur konsumohen rregullisht”.

Ekipi kanadez gjithashtu vuri në dukje se bishtajoret e kanë një “indeks të ulët glikemik” - që do të thotë se ato shpërbëhen ngadalë në traktin e tretjes. Si të tilla, ato mund të konsumohen në vend të proteinave shtazore apo yndyrave të pashëndetshme gjatë ngrënies.

Provat e përfshira në analizën e re i përfshinë gjithsej 940 të rritur. Kur pjesëmarrësit filluan ta hanë një porcion (3/4 të filxhanit) me bishtajore në ditë, ata i humbën mesatarisht 340 gramë gjatë gjashtë javëve pa bërë ndonjë përpjekje të veçantë për t’i shmangur llojet e tjera të ushqimeve, thanë studiuesit.

Sipas ekipit de Souzas, hulumtimi ka treguar se ngrënia e fasuleve, thjerrëzave dhe bishtajoreve të tjera i bën njerëzit të ndihen më të ngopur.

Ky është çelësi për dobësim - 90 për qind e programeve për humbje të peshës dështojnë, pjesërisht për shkak të ndikimit të urisë dhe dëshirës për ushqime, thotë de Souza.

“Ky studim i ri përshtatet mirë me punën tonë të mëparshme, e cila konstatoi se bishtajoret e rritën ndjenjën e ngopjes me 31 për qind, gjë që mund të rezultojë në konsum më të vogël të ushqimit,” tha ai.

Këto ushqime gjithashtu duket se ndihmojnë në nivele më të ulëta të kolesterolit “të keq” në gjak (LDL), shtoi ai.

Antonella Apicella, një dietiste ambulantore në Lenox Hill Hospital në New York City, tha se studimi “e mbështet idenë se ushqimet si fasulet, thjerrëzat, leblebitë dhe bizelet e thata mund ta reduktojnë yndyrën e trupit dhe mund të kontribuojnë në dobësim, edhe në qoftë se kaloritë nuk u kufizuan”, përcjell Koha.net.

Ajo u pajtua që bishtajoret duket se i ndihmojnë njerëzit të ndihen më të ngopur, më shpejt dhe fibrat që këto ushqime i përmbajnë “mund ta zvogëlojnë absorbimin e yndyrës”.

Gjetjet u publikuan në The American Journal of Clinical Nutrition.