Lifestyle

Dy-tre kilogramë më shumë mund të jenë shumë të mirë për shëndetin

A mund të jeni tepër të dobët? Absolutisht. Natyrisht, edhe pesha e tepërt është gjithashtu e dëmshme për shëndetin. Por 5 kg më shumë se pesha ideale tek personat më të moshuar se 60 vjet kanë rezultuar të jenë të lidhura me jetë më të gjatë dhe një numër më të vogël të pacientëve me osteoporozë, përcjell Huffington Post.

Kjo sigurisht nuk është ftesë për ngrënie të tepruar, ndërsa ushtrimet e rregullta duhet të jenë pjesë e jetës së përditshme me qëllim që masa e mjaftueshme e muskujve t’ju sigurojë plakje të shëndetshme. Këta kilogramë shtesë të shëndetshëm do të duhej të vijnë nga ushqime të pasura me energji, arroret dhe yndyrat e shëndetshme. Nëse duhet të trasheni, është e këshillueshme që këtë ta bëni gradualisht (ashtu si edhe me dobësimin).

Meta-analiza e 97 studimeve të ndryshme të cilat kishin përfshirë 2.8 milionë njerëz në mbarë botën, dhe të cilat i publikoi Shoqata Mjekësore Amerikane, e konfirmoi lidhjen midis trashësisë dhe vdekjes së parakohshme, por zbuloi edhe se personat të cilët i kanë vetëm disa kilogramë më shumë jetojnë më gjatë se ata me peshë ideale, transmeton Koha.net. Shkencëtarët australianë kanë prezantuar gjithashtu prova të mëtejshme se tek të moshuarit mbipesha nuk është e lidhur me një rritje të rrezikut nga vdekja, por, përkundrazi, rreziku më i lartë i vdekjes është vërejtur në popullsinë mbi 60 vjeç, indeksi i masës trupore të të cilës është më i ulët se 23.

Si mund të ndihmojnë dy tre kilogramë shtesë? Disa jastëkë të vegjël shtesë mund t’i mbrojnë eshtrat e brishta dhe ta zvogëlojnë rrezikun e thyerjes së ijes. Gjithashtu, për të mbetur të forta, eshtrat duhet ta bartin një peshë të caktuar, kështu që këto kilogramë shtesë mund ta rrisin densitetin e tyre. Disa kilogramë të tepërt mund të kenë efekt pozitiv në sistemin imunitar. Lufta me infeksion kërkon energji, proteina dhe mikronutrientë. Një pasojë e infektimit është që e humbni oreksin, dhe nëse kjo vazhdon, humbet masa muskulore dhe trupi nuk ka energji të mjaftueshme për të luftuar. Kur sulmon virusi apo pneumonia, personat me dy deri në tre kilogramë më shumë kanë furnizime shtesë, prandaj humbja e oreksit nuk do t’ua dobësojë shumë organizmin.

Përveç kësaj, edhe kur priteni dhe kur plaga ekspozohet ndaj baktereve, sistemi juaj imunitar duhet të dalë në ndihmë – gjë që mund të zgjasë. Por tani e dimë që në sajë të studimit të Universitetit të Kalifornisë në San Diego, indet yndyrore nën lëkurë fillojnë menjëherë të prodhojë antitrupa të cilat e paraqesin reagimin e parë të trupit ndaj pushtuesve. Në minj janë zhvilluar teste me bakterin MRSA, i cili është rezistues ndaj shumë antibiotikëve dhe paraqitet në spitale dhe shtëpi.

Indeksi i masës trupore është mënyra më e mirë për ta përcaktuar nëse keni peshë normale. Vlerat normale të indeksit të masës trupore janë konsideruar të jenë në mes 18.5 dhe 24.9. Personat me indeks mbi 30, konsiderohen obesë.

Edhe pse mbipesha e limituar tek personat më të moshuar se 60 vjet konsiderohet e mirë, aktiviteti fizik nuk duhet të injorohet. Këta kilogramë shtesë duhet të jenë muskuj, jo yndyrë, përcjell Koha.net. Ushtrimet e rregullta janë të domosdoshme për plakje të shëndetshme, prandaj secili person duhet të ecë të paktën një orë e gjysmë në ditë, të vrapojë, ta shtrijë trupin ose të ushtrojë me pesha.

Humbja eventuale e oreksit tek të moshuarit mund të ndërlidhet me ilaçe të caktuara, humbje të nuhatjes dhe shijes, vetmi apo depresion. Nëse e vëreni ndonjë nga këto tek ju, konsultohuni me mjekun. Gjithashtu është e rëndësishme ta shijoni jetën, pa marrë parasysh të gjitha problemet e mundshme. Prandaj, jepini kohë vetes për pushim, shoqërim me miqtë, ta shijoni një ditë me diell.

Në fund, dy deri në tre kilogramë shtesë mund ta kenë edhe një efekt kozmetik. Yndyra e siguron një plotësi të fytyrës, i mbushë rrudhat e vogla dhe e zgjidh problemin e faqeve të varura. Edhe pse nuk bëhet fjalë vetëm për efektin shëndetësor, nëse dukemi më mirë – edhe do të ndihemi më mirë.