Lifestyle

Dritarja e trurit për mësimin e gjuhës është e hapur deri në moshën e rritur

Në një studim të rreth 700,000 folësve të gjuhës angleze, hulumtuesit nga Boston College, MIT dhe Harvard kanë zbuluar se vitet optimale për ta mësuar një gjuhë të dytë shtrihen deri në skaj të rritshmërisë, njoftoi ekipi në edicionin online të revistës Cognition.

Prej kohësh dihej se fëmijët e mësojnë gjuhën më lehtë se të rriturit, por përcaktimi i saktë se kur kjo aftësi bie ka qenë një mister, transmeton Koha.net.

Duke përfituar nga një studim masiv i popullsisë dhe metodat e reja kërkimore që i lejonin ata t’i ndanin faktorët e ndërlidhur në përvetësimin e gjuhës, ekipi raporton se dritarja për të mësuarit e gjuhës është e hapur rreth një dekadë më gjatë sesa mendohej më parë - deri në moshën 17.4 vjeç.

Gjetjet e reja kanë implikime për neuroshkencën, linguistikën, psikologjinë zhvillimore dhe politikën publike, sipas bashkautorëve të raportit, të titulluar “Periudha kritike për përvetësimin e gjuhës së dytë: Dëshmi nga 2/3 milionë folës të gjuhës angleze”.

“Ajo që e kemi zbuluar na jep një kuptim dramatikisht të ndryshëm se pse fëmijët e mësojnë një gjuhë të re në mënyrë më efikase dhe më të plotë sesa të rriturit”, tha asistent profesori i psikologjisë në kolegjin e Bostonit, Joshua K. Hartshorne, bashkautor i studimit me profesorin e MIT, Joshua B. Tenenbaum dhe profesorin e Harvardit, Steven Pinker.

Gjetjet janë të parat që vlerësuan se sa kohë njerëzit mund ta mësojnë gramatikën dhe se si kjo aftësi ndryshon me moshën. Aftësia shtrihet deri në moshën e hershme të rritur para se të fillojë të bjerë, konkluduan studiuesit, përcjell Koha.net. Kjo u dëshmua për sintaksat e “lehta” dhe “të vështira”, të cilat ekipi i përdorte në studimin e tyre.

Gjetjet e definojnë një “periudhë të qartë kritike për përvetësimin e gjuhës”, e cila zgjat shumë më shumë sesa mendohej më parë.

“Shpjegimi i kësaj “periudhe kritike për përvetësimin e gjuhës” është thelbësor jo vetëm për të kuptuar se pse njerëzit, dhe jo kafshët ose makinat, e mësojnë gjuhën, por edhe për pyetje kërkimore mbi zhvillimin nervor dhe plasticitetin, arsimin dygjuhësor, arsimin në gjuhë të huaja, trajtimin e çrregullimeve që ndikojnë në gjuhën dhe stimulimin e fëmijërisë së hershme,” tha Hartshorne.

Dhjetëra mijëra të anketuar nga e gjithë bota iu nënshtruan anketës përmes një kuizi të hulumtuesve të ofruar online përmes faqes http://www.gameswithwords.org, tha Hartshorne.

Ai shtoi se studimet e mëparshme u përqëndruan në atë se sa gjuhë një shtatëvjeçar mund të pritej t’i mësonte me kalimin e kohës, në vend se sa shpejt një shtatëvjeçar e mëson gjuhën.

“Kjo i ka ngritur standardet teorike të mësimit të gjuhës”, tha Hartshorne.