Lifestyle

Më i vogli nga fëmijët është më i preferuari në familje

Në publik ka kohë që po zgjat debati nëse prindërit e kanë të preferuarin e tyre në mesin e fëmijëve dhe nëse tregojnë njëanshmëri publikisht. Hulumtimi i kryer nga sajti Mumsnet tregoi se fëmija më i vogël ishte kryesisht më i preferuari.

Në hulumtimin e kryer nga Mumsnet morën pjesë 1,185 persona të cilët janë prindër, ndërsa në hulumtimin e kryer nga faqja Gransnet morën pjesë 1.111 persona, të cilët e kanë të paktën një nip/mbesë.

Sipas rezultateve, një e katërta e të anketuarve e pranuan se e kishin fëmijën e preferuar. Gjithashtu, 42 për qind e vizitorëve të sajtit Gransnet janë më të prirur ta duan më shumë një nip apo mbesë.

Më shumë se gjysma e prindërve thanë se fëmija i preferuar është kryesisht më i vogli, ndërsa 61 për qind e tyre u përgjigjën se fëmijët e tjerë janë më kërkues dhe më të komplikuar, transmeton Koha.net. Vetëm 26 për qind e prindërve thanë se e donin më së shumti fëmijën e tyre më të madh.

Pothuajse gjysma e prindërve që e pranuan se e kanë fëmijën e preferuar, theksuan se ai fëmijë ua kujton atyre veten e tyre. Gjysma tjetër e prindërve thanë se fëmija i tyre i preferuar i bën të qeshin më shumë se fëmijët e tjerë.

Megjithatë, shumica e prindërve janë të vetëdijshëm se nuk është e drejtë të tregosh dashuri më të madhe për njërin fëmijë.

Më shumë se gjysma e përdoruesve të sajteve Mumsnet dhe Gransnet konsiderojnë se është e tmerrshme të kesh fëmijë të preferuar, dhe më shumë se tre të katërtat e prindërve të anketuar mendojnë se ky fenomen mund të ndikojë negativisht tek fëmijët e tjerë.

“Favorizimi një fëmijë është një nga tabutë që mund të ndikojë në shfaqjen e ndjenjës së fajit. Prandaj, është e rëndësishme të thuhet se ky është një fenomen i zakonshëm dhe që nuk duhet të jetë aq katastrofal sa tingëllon. Favorizimi toksik është diçka krejtësisht tjetër, sepse në këtë rast vëllezërit dhe motrat janë të vetëdijshëm se e kanë një trajtim të ndryshëm”, tha Justine Roberts, themeluesja e Gransnet, përcjell Independent.