Lifestyle

Gjendja e shëndetit oral tek grupmoshat dy deri në tetë vjet

Descriptive Text

Në Ditën ndërkombëtare të shëndetit oral, dentisti Xheladin Ujkani, udhëheqës i projektit “Dhëmbë të shëndoshë, fëmijë të lumtur”, jep disa këshilla për prindërit.

Në hulumtimin e bërë nga dentisti Xheladin Ujkani, udhëheqës i projektit “Dhëmbë të shëndoshë, fëmijë të lumtur”, mbi gjendjen e shëndetit oral tek grupmoshat dy deri në tetë vjet, hulumtim i cili ka zgjatur mbi dy muaj, rezultatet janë shqetësuese, transmeton Koha.net.

Kjo për faktin se prej fëmijëve të kontrolluar të moshës 6-7 vjeçare tek të cilët kanë dalur dhëmballët e parë të përhershëm, 36 prej tyre kanë mesatarisht mbi dy dhëmballë të prishur, pa llogaritur këtu mbushjet-pllombimet e mëhershme, ndërsa 34 prej tyre nuk kanë asnjë dhëmbë të prishur.

Ndërsa, nga 165 fëmijë të moshës dy deri në tetë vjet, tek të cilët janë ende të pranishëm shumica e dhëmbëve të qumështit, në mesatare, kanë mbi 7 dhëmbë të prishur të qumështit. Prej tyre, 9 fëmijë kanë dhëmbë të shëndoshë, 56 fëmijë kanë nga 1-5 dhëmbë të prishur, 58 fëmijë kanë nga 6-10 dhëmbë të prishur, 33 fëmijë kanë nga 6-10 dhëmbë të prishur, 33 fëmijë kanë nga 16-20 dhëmbë të prishur, ndërsa 2 fëmijë kanë nga 20 dhëmbë të prishur.

Duke u nisur nga këto rezultate shqetësuese, pikërisht në ditën ndërkombëtare të shëndetit oral, dentisti Xheladin Ujkani, udhëheqës i projektit “Dhëmbë të shëndoshë, fëmijë të lumtur”, jep disa këshilla për prindërit, si:

1. Me rregull, dhëmbi i parë i qumështit del rreth muajit të gjashtë. Ky duhet të jetë momenti kur prindërit duhet të fillojnë pastrimin e dhëmbëve tek fëmijët e tyre me gaze sterile dhe çaj kamomil;

2. Pas moshës një vjeçare, gradualisht prindërit duhet të fillojnë pastrimin e dhëmbëve tek fëmijët e tyre me brushë dhe pastë;

3. Prindërit duhet t’i edukojnë fëmijët e tyre se dhëmbët patjetër duhet të pastrohen në mëngjes, gjatë ditës sipas nevojës dhe në mbrëmje para gjumit;

4. Prindërit duhet t’i edukojnë fëmijët e tyre në mënyrë që gjatë pastrimit të dhëmbët të shkojnë deri në fund të harqeve të dhëmbëve duke pastruar të gjithë dhëmbët, të gjitha sipërfaqet. Dhëmbët më të prishur janë dhëmbët në fund të harqeve, dhëmballët e parë dhe të dytë, lart dhe poshtë;

5. Prindërit duhet të kenë kujdes që fëmijët t’i largojnë sa më shumë nga ushqimet që përmbajnë shumë sheqer, krip, piper e po ashtu edhe nga pijet e gazuara dhe t’i ushqejnë sa më shumë me produkte të qumështit, ujë, pemë dhe perime të freskëta;

6. Prindërit duhet përgatitur paraprakisht fëmijët e tyre për vizitën e parë te dentisti dhe mos t’i frikësojnë duke ua përmendur dentistin, përcjell Koha.net. Vizita e parë te dentisti duhet të bëhet rreth moshës dy vjeçare;

7. Prindërit duhet të jenë ndërmjetësues në krijimin e raporteve miqësore në mes të fëmijëve të tyre dhe dentistëve;

8. Prindërit duhet ta dine se dhëmbët e qumështit kompletohen rreth moshës tre vjeçare dhe janë 20 në numër, dhjetë në nofullën e sipërme dhe dhjetë në nofullën e poshtme;

9. Prindërit duhet ta dinë se dhëmbët e qumështit mund të mbushen e rregullohen në fazat e hershme të prishjes së tyre por edhe të pastrohen nga struktura e shkatrruar e cila jep infeksione dhe erë keqe të gojës tek fëmijët;

10. Prindërit duhet ta dine se dhëmbët e parë të përhershëm dalin rreth moshës gjashtë vjeçare dhe ata janë dhëmballët e parë që dalin në fund të harqeve të dhëmbëve të qumështit, lart dhe poshtë. Shpesh herë prindërit mendojnë se këta janë dhëmbë të qumështit;

Këto këshilla kanë për qëllim krijimin e një shprehie të mirë të kujdesit të prindërve për dhëmbët e fëmijëve të tyre, në mënyrë që fëmijët të kenë përkujdesjen e duhur dhe të vazhdueshme për dhëmbë të shëndoshë e fëmijëri të lumtur.