Lifestyle

Insomnia nuk është sëmundje e trilluar, shkaku është në gjene

Insomnia është e lidhur shpesh me stresin apo anksiozën, por studimi i ri ka treguar se shkaku i pagjumësisë mund të jetë gjenetik.

Një ekip ndërkombëtar i studiuesve i zbuloi shtatë gjene të rrezikut që janë të lidhura me çrregullim të gjumit. Ky zbulim mund të çojë në zbulimin e një ilaçi për këtë çrregullim i cili ndikon në një numër të madh të njerëzve në mbarë botën, transmeton koha.net.

Madonna, George Clooney, Lady Gaga dhe Kim Cattrall kanë folur për vështirësitë me gjumin gjatë natës.

Ky zbulim shpjegon se gjenet e ndryshme janë të lidhura me pagjumësi tek meshkujt dhe femrat. Deri kohët e fundit, insomnia konsiderohej një problem psikologjik dhe rezultat i depresionit, pikëllimit apo punës me turne.

"Shpesh konsiderohej se shkaku i pagjumësisë është vetëm 'në kokën' e pacientit. Ky studim e jep një perspektivë të re, sepse e shpjegon shkakun e vërtetë", tha specialisti për çrregullime të gjumit, Eus Van Someren, në Universitetin Vrije në Amsterdam.

Hulumtuesit morën mostra të ADN-së nga 113.000 persona nga Holanda dhe Britania e Madhe për ta hulumtuar këtë çrregullim. Një nga gjenet e rrezikut që është gjetur në këta persona është MEIS1 i cili më parë lidhej me çrregullime të gjumit.

Fjala është për gjenet që pësojnë mutacione dhe shkaktojnë çrregullim. Në kuadër të të njëjtit studim ata zbuluan se disa gjene të caktuara shkaktojnë çrregullim anksioze, depresion dhe gjendje të keqe.

Studimet e mëparshme kanë zbuluar se nga insomnia vuajnë më shumë femrat se meshkujt.

Shkencëtarët besojnë se ky zbulim do ta përmirësojë të kuptuarit e pagjumësisë si një çrregullim në nivelin nervor dhe të çojë në krijimin e ilaçeve më të mira.

Pothuajse një e treta e njerëzve kanë probleme të herëpashershme apo të përhershme me gjumin, gjë që çon në përkeqësimin e imunitetit, dobësimin e organizmit dhe në sëmundje.

Studimi është publikuar në revistën “Nature Genetics”.