Lifestyle

Shqetësim për dozat e larta të ibuprofenit

Shumë të rritur, të cilët e përdorin ibuprofenin dhe ilaçet e tjera josteroidale antiinflamatore (NSAID), i marrin ato në doza të mëdha duke e rritur kështu rrezikun nga një numër i efekteve anësore serioze si gjakderdhja e brendshme dhe sulmi në tru. Ky është përfundimi i një studimi të ri amerikan.

Afërsisht bëhet fjalë për 15 për qind të të rriturve të cilët konsumojnë ibuprofen apo ilaçe të tjera të ngjashme si aspirina, naprokseni, diklofenaku, meloksikami dhe celekoksibi, dhe të cilët i tejkalojnë dozat ditore maksimale të rekomanduara për ato ilaçe, zbulon hulumtimi i përmendur.

Ilaçet NSAID-e, përndryshe, janë ndër ilaçet më të përdorura në Shtetet e Bashkuara dhe në botë, sipas kreut të hulumtimeve dr. David Kaufman nga universiteti i Bostonit.

Këto ilaçe mund të kenë efekte të rënda anësore, përfshirë gjakderdhjen në traktin digjestiv dhe sulmet në zemër. Është problematike sepse shpesh merren pa mbikëqyrje mjekësore, sepse shumë prej tyre janë në dispozicion pa recetë, sipas Kaufmanit, transmeton Koha.net. Si duket ekziston një qëndrim i konsumatorëve se mund të marrin doza sipas vlerësimit të tyre, pavarësisht nga paralajmërimet me shkrim në paketim, duke i injoruar kufijtë e lejuar maksimal.

Në kuadër të studimit, 1326 përdorues të ibuprofenit mbajtën ditarë për përdorimin e këtij ilaçi për një periudhë prej shtatë ditësh. 87 për qind e tyre e morën ilaçin pa recetë, siç theksojnë shkencëtarët në punimin e publikuar në revistën Pharmacoepidemiology & Drug Safety.

Gjithsej 55 për qind e pacientëve morën ibuprofen të paktën tri herë në javë, ndërsa 16 për qind e morën ilaçin madje çdo ditë.

Përveç ibuprofenit, 37 për qind e tyre raportuan se e kishin marrë të paktën një medikament nga grupi i lartpërmendur i NSAID-eve gjatë asaj jave, ndërsa më së shpeshi bëhej fjalë për aspirinën ose naproksenin. Më pak se gjysma e të anketuarve e dinin se të gjitha këto barna i përkasin të njëjtit grup të NSAID-ëve.

“Konkluzionet e studimit të kryer i tregojnë aspektet e mundshme negative të blerjes së ilaçeve NSAID pa recetë, thotë dr. Gunnar Gislason, udhëheqës i Fondacionit danez për sëmundjet e zemrës në Kopenhagë. “Unë besoj se mesazhi që përdoruesit e marrin kur këto barna mund të blihen lirisht në dyqane të ndryshme dhe stacionet e karburantit – është se ato janë plotësisht të sigurta dhe se mund të merren për lehtësimin e dhimbjeve, pa nevojë të madhe për ta lexuar paralajmërimin në paketim,” shpjegoi Gislason, i cili nuk mori pjesë në studim.

“Ilaçet NSAID mjekët i përshkruajnë për disa çrregullime të sistemit të muskujve dhe kyçeve dhe probleme të tjera shëndetësore, por ato nuk janë një zgjidhje e përshtatshme për shumë çrregullime të tjera për të cilat masivisht i marrin pacientët të cilët i blejnë në shitje të lirë”, thotë dr. Liffert Vogt nga Qendra akademike shëndetësore e Universitetit Amsterdam në Holandë.

“Mendimi im është se NSAID-et nuk do të duhej të jenë në dispozicion në shitje të lirë pa recetë pikërisht për shkak të të gjitha efekteve të tyre të mundshme negative”, tha Vogt.