Lifestyle

Pirja e çajit të nxehtë e rrit rrezikun nga kanceri i ezofagut

Pirja e çajit të nxehtë mund ta rrisë rrezikun nga sëmundja e kancerit të ezofagut, veçanërisht nëse konsumoni shumë alkool ose jeni duhanpirës, thuhet në studimin e ri të kryer nga shkencëtarët kinezë.

Rreziku është i madh edhe për personat që nuk konsumojnë alkool dhe cigare. Pirja e çajit më të nxehtë se 65 gradë e rrit rrezikun nga kanceri ezofagal për pesë për qind, transmeton Koha.net.

Shkencëtarët theksuan se ekziston një shpjegim logjik, sepse çaji i nxehtë mund të shkaktojë djegie në ezofag, i cili e mbron organizmin nga toksinat e dëmshme.

Ky lloj i kancerit më së shumti i prek personat në moshën 60-70 vjeç, ndërsa meshkujt janë grupi më i rrezikuar. Në fazën e hershme nuk ka simptoma, por derisa kanceri rritet shfaqen vështirësi në gëlltitje, çrregullime të tretjes ose urthit, humbje e oreksit dhe peshës, dhimbje në pjesën e sipërme të barkut, gjoksit ose shpinës.

Studimi u bazua në diagnozat mjekësore të 456.155 femrave dhe meshkujve kinezë të moshës 30-79-vjeçare, gjendjen e të cilëve studiuesit e monitoruan për 9.2 vjet. Studimi u publikua në revistën Annals of Internal Medicine.

Studiuesit theksojnë se për këtë nuk duhet të ndaloni të pini çaj, sepse ai është i shëndetshëm, por bëni kujdes që të jetë i ngrohtë në temperaturën nën 65 gradë.