Pastrimi i dhëmbëve në errësirë - çelës për një gjumë më të mirë?

Pastrimi i dhëmbëve në errësirë - çelës për një gjumë më të mirë?

07 shkurt 2018 16:09

Ja se si duket fundi i ditës për shumicën e njerëzve: pak para shkuarjes në shtrat për të fjetur, ju i pastroni dhëmbët tuaj para pasqyrës suaj në banjë dhe duke pasur parasysh se është natë, ju sigurisht po e bëni këtë në ambientin e ndritshëm artificial të dritave elektrike në banjën tuaj.

Sipas shkencës, nuk duhet ta bëjmë këtë. Duke e ekspozuar veten ndaj ndriçimit artificial pak para se të shkojmë në shtrat, ju në mënyrë efektive jeni duke i thënë trupit tuaj se është koha për t’u zgjuar dhe jo koha për t'u çlodhur, transmeton koha.net.

"Gjumi është veprimi më i rëndësishëm që e bëjmë. Gjatë jetës sonë 36 për qind të kohës kalohet duke fjetur", tha Russell Foster, profesor i neuroshkencës cirkadiane në Universitetin e Oksfordit në Britaninë e Madhe, përcjell The Telegraph.

"Shpesh njerëzit i fikin dritat natën gjë që ndihmon për ta përgatitur trupin për gjumë, por pastaj ata i pastrojnë dhëmbët e tyre dhe e ndezin dritën e banjës së tyre. Kjo është shumë çrregulluese. Shpesh mendoj se dikush duhet ta shpikë një dritë për pasqyrë të banjës, e cila e ka një konfigurim të ndryshëm për natën."

Sipas Foster, ne e mashtrojmë trupin tonë, sidomos në dimër, kur ditët janë më të shkurtra, për shkak të mbështetjes sonë të përgjithshme në dritat elektrike. Pritjet natyrore të trupave tanë janë që rrethohen nga një dritë shumë e ndritshme në mes të ditës, dhe pastaj të fshihen në errësirën relative gjatë natës.

Megjithatë, meqë jetojmë dhe punojmë kryesisht brenda ndërtesave me ndriçim artificial si gjatë ditës ashtu edhe natës, drita ndaj të cilës jemi të ekspozuar gjatë gjithë kohës është më pak se ideale: më e zbehtë gjatë ditës se sa rrezet e diellit, dhe më e ndritshme gjatë natës se sa errësira. Një pasojë është ndikimi negativ për gjumin.

"Ne e kemi këtë orë të madhe duke punuar në tru dhe çdo qelizë individuale e ka orën e vet të vogël, kështu që është më tepër si një dirigjent i një orkestre që e prodhon një sinjal nga i cili sinjalizohet pjesa tjetër e trupit. Kjo është një simfoni e bukur e ritmeve", thotë Foster. "Por ne jetojmë në këto shpella të ndriçuara dobët, si në shtëpi ashtu edhe në zyrat tona, të cilat janë shumë më pak të ndritshme se drita natyrale, madje edhe në një ditë me re."

Implikimet mund të jenë më serioze sesa nëse do të flini mirë apo jo. Një studim në fillim të viti ka zbuluar se ndërprerjet në ritmet normale biologjike dhe sezonale për shkak të përdorimit të tepruar të ndriçimit elektrik dhe kontrolleve klimaterike artificiale i vë njerëzit në rreziqe të rritura për sa i përket sëmurjes dhe vdekshmërisë.

Atëherë, cila është zgjidhja? Foster thotë: "Është shumë e rëndësishme të dalim jashtë, veçanërisht në mëngjes për ta rivendosur orën e trupit." Me fjalë të tjera, ekspozojeni veten ndaj ndriçimit më të madh të dritës natyrale gjatë ditës (në mënyrë të sigurt, natyrisht – qoftë edhe qëndrimi pranë dritares në hije është më mirë se asgjë).

Dhe në fund të ditës, zvogëloni dritat tuaja në qoftë se mundeni, shmangeni kafenë, dhe mos i përdorni tepër pajisjet e ndritshme elektronike si smartphonët dhe tabletët, sidomos në shtrat.

Dhe së fundi, provoni t’i pastroni dhëmbët tuaj në errësirë. Kush e di? Kjo mund të bëjë mrekullinë.

 

© KOHA. Të gjitha të drejtat janë të rezervuara.

Komentet

Shto koment

Të ngjashme