Zbulohen edhe më shumë prova për lidhjen e çuditshme midis sheqerit dhe Alzheimerit

Zbulohen edhe më shumë prova për lidhjen e çuditshme midis sheqerit dhe Alzheimerit

07 shkurt 2018 08:32

Personat me nivel të lartë të sheqerit në gjak përjetojnë rënie më të keqe kognitive afatgjatë sesa njerëzit e shëndetshëm, edhe nëse ata nuk janë teknikisht diabetikë të tipit 2, sugjeron hulumtimi i ri.

Gjetjet nuk janë lidhja e parë në mes diabetit dhe funksioneve të dëmtuara kognitive, por ato janë disa nga më të qartat deri më tani që tregojnë se sheqeri në gjak nuk është vetëm një shenjë e shëndetit tonë dietal – por është gjithashtu një parashikues indikues se si truri ynë mund ta përballet me plakjen, transmeton Koha.net.

“Gjetjet tona sugjerojnë se ndërhyrjet që e vonojnë shfaqjen e diabetit, si dhe strategjitë e menaxhimit të kontrollit të sheqerit në gjak, mund të ndihmojnë në zbutjen e progresit të rënies kognitive në afat të gjatë,” shpjegojnë studiuesit, të udhëhequr nga epidemiologu Wuxiang Xie nga Imperial College London.

Studiuesit i nxorën të dhënat e tyre nga English Longitudinal Study of Agening, një vlerësim i vazhdueshëm i shëndetit të një mostre përfaqësuese të popullsisë angleze të moshës 50 vjeç e më lart, i cili filloi në vitin 2002.

Për analizën e tij, ekipi i monitoroi 5,189 pjesëmarrës - 55 për qind femra, me një moshë mesatare prej 66 vjetësh - duke e vlerësuar nivelin e tyre të funksionit kognitiv midis viteve 2004-2005 dhe 2014-2015, duke përfshirë disa valë të studimit ELSA.

Përveç kësaj, studiuesit i monitoruan nivelet e pjesëmarrësve të HbA1c, të ashtuquajtur hemoglobina e glikuar, një masë kjo e kontrollit të sheqerit në gjak me kalimin e kohës.

Derisa të gjithë pjesëmarrësit e treguan një nivel të rënies kognitive gjatë monitorimit për shkak të plakjes, studiuesit zbuluan se ata që ishin me nivele më të larta të HbA1c e përjetuan një normë të ndjeshme të rënies, ndjekur nga testet që e masin njohjen e tyre, kujtesën dhe aftësitë të funksioneve ekzekutive.

Studimet e tjera e kanë treguar më parë këtë lloj të lidhjes midis diabetit dhe rënies kognitive të parë në çrregullimet si sëmundja Alzheimer - por kurrë më parë duke e përdorur HbA1c.

Është interesante, megjithatë, se gjetjet e reja shkojnë përtej vetëm rivendosjes së lidhjes midis diabetit dhe rënies kognitive - sepse trendi i HbA1c është vërejtur tek pjesëmarrësit pavarësisht nëse ata ishin teknikisht diabetikë.

Nivelet e HbA1c tek personat e shëndetshëm janë më të ulëta se 42 milimole për mol (mmol/mol, apo nën 6 për qind), ndërsa personat me diabet tregojnë parametra prej 48 mmol/mol ose më lart (6.5 për qind ose më lart).

Në mes, personat me gjendjen pararendëse paradiabet (me sheqer të lartë, por që nuk konsiderohen diabetikë) kanë parametra në mes 42-47 mmol/mol (6 deri 6.4 për qind).

Ajo që studiuesit kanë gjetur është se shkalla e lidhur e rënies kognitive nuk kufizohet vetëm tek ata që janë diabetikë, por në numra më të lartë të HbA1c në përgjithësi.

“Gjetjet tona e tregojnë një korrelacion linear mes niveleve qarkulluese të HbA1c dhe rënies kognitive, pavarësisht nga statusi diabetik”, shpjegojnë studiuesit.

Është shumë herët të dihet se cilat implikime dietetike janë për njerëzit që janë të shqetësuar për nivelin e sheqerit në gjak - mjafton të thuhet se është një arsye tjetër bindëse se pse ne të gjithë duhet të kujdesemi se çfarë hamë në mënyrë që ta parandalojmë zhvillimin e diabetit të tipit 2 - edhe pse edhe nëse e bëni këtë, disa zgjedhje të mençura mund t'ju ndihmojnë ta ndryshoni atë diagnozë.

“Një nga përparësitë e këtij studimi të madh është se ai i ka përcjellë njerëzit me kalimin e kohës për ta treguar një rënie më të shpejtë të kujtesës dhe të menduarit tek ata me kontroll më të dobët të sheqerit në gjak”, thotë zyrtari kryesor shkencor i Alzheimer's Research UK, David Reynolds.

“Por kjo nuk hedh dritë në mekanizmat potencialë prapa kësaj rënieje”.

Derisa studiuesit vazhdojnë të eksplorojnë se çfarë mund të jenë këta mekanizma, po bëhet gjithnjë e më e qartë se asnjë prej nesh, diabetikë apo jo, nuk duhet të supozojë se dietat e larta me sheqer janë domosdo të padëmshme për trupin dhe mendjen, përcjell Koha.net.

“Vetëm për shkak se nuk keni diabet të tipit 2 kjo nuk do të thotë që mund të hani çdo gjë që doni”, tha për The Atlantic, epidemiologu Rosebud Roberts nga Klinika Mayo, i cili nuk ishte përfshirë në studim.

“Veçanërisht nëse nuk jeni aktiv. Ajo që e hamë është një faktor i madh në ruajtjen e kontrollit mbi fatin tonë”. Gjetjet u raportuan në Diabetologia.

© KOHA

Komentet

Shto koment

Të ngjashme