A ju bën me tumor në tru përdorimi i shpeshtë i celularëve?

A ju bën me tumor në tru përdorimi i shpeshtë i celularëve?

04 shkurt 2018 12:40

Minjtë të gjinisë mashkullore treguan një rritje të vogël të një lloj tumori të zemrës pas ekspozimit ndaj një sasie masive të rrezatimit të celularëve, thuhet në një hulumtim të ri. Por, mos i besoni shumë kësaj, thonë ekspertët – sepse ato minjtë u ekspozuan në një sasi shumë të madhe të rrezatimit sesa që ekspozohen përdoruesit e celularëve çdo ditë.

Ka shqetësime të vazhdueshme në lidhje me atë se celularët mund t’ju bëjnë me kancer – veçanërisht me kancerin e trurit, pasi që shumicën e kohës celularët i mbajnë shumë afër fytyrës, shkruan The Verge.

Është e vërtetë se celularët lëshojnë rrezatim. Por në këtë rast fjala është për radiofrekuncën e rrezatimit, e cila është një energji shumë më e ulët se rrezatimi jonizues që mund ta marrim nga rrezet X, ose, për shembull nga pasojat bërthamore, transmeton Koha.net. Rrezatimi jonizues mund të shkaktojë dëme në ADN, gjegjësisht mund të na bëjë me kancer. Por rrezatimi radiofrekuent nga një celular nuk funksionon në këtë mënyrë – dhe rezultatet nga hulumtimi e mbështesin këtë.

Njëri nga raportet e studimit thotë se minjve meshkuj të ekspozuar në një nivel shumë të lartë të rrezatimit radiofrekuent u është rritur tumori përreth zemrës së tyre. Minjve femra të ekspozuara në të njëjtën sasi të rrezatimit radiofrekuent nuk u është rritur asnjë tumor, dhe as minjtë meshkuj e as minjtë femra nuk shfaqën probleme të dukshme shëndetësore sipas studimit të dytë. As ky studim nuk ka paraqitur prova të qarta se rrezatimi radiofrekuent mund të shkaktojë tumore të trurit, edhe pse hulumtuesit vazhdojnë të hetojnë. Këto dy studime janë vetëm drafte të cilat ende nuk janë shqyrtuar nga shkencëtarët e jashtëm.

Image
Foto: Shutterstock

Derisa Komisioni Federal i Komunikimit (Federal Communication Commission) kufizon se sa rrezatim radifrekuent mund të dalë nga celulari juaj, Administrata e Ushqimit dhe Ilaçeve (Food and Drug Administration) mund të deklarohet nëse këto kufizime janë të sigurta. Prandaj, kjo administratë ka kërkuar nga Programi Kombëtar i Toksikologjisë (National Toxicology Program), një divizion brenda Instituteve Kombëtare të Shëndetësisë (National Institutes of Health), që të hetojë, përcjell Koha.net. “Bazuar në rezultatet e PKT-së, si dhe të qindra studimeve tjera, administrata e ushqimit ende është e bindur se kufizimet aktuale për rrezatimin e celularëve janë të sigurta”, ka thënë në një deklaratë Jeffrey Shuren, drejtor i Qendrës së AUI-së për Pajisjet dhe Shëndetin Radiologjik.

Studimi ka përdorë veçanërisht frekuencat 2G dhe 3G – jo frekuencat e përdorura në rrjetet më të avancuara 4G ose 5G. Hulumtuesit, i ekspozuan të gjithë brejtësit në radiovalë për më shumë se nëntë orë në ditë, për dy vjet me radhë. (“Një mi dy vjeçar është përafërsisht i barabartë me një person 70 vjeçar”, raporton STAT News). Këto nivele të ekspozimit ishin shumë të larta për dallim nga ato që njerëzit mund t’i përjetonin, thotë John Bucher, shkencëtar i lartë i PKT-së. “Pra, këto gjetje nuk përkojnë drejtpërdrejtë me përdorimin e celularëve nga njerëzit”, thotë ai.

Madje edhe me këto nivele jashtëzakonisht të larta të ekspozimit, lidhjet me kancerin ende ishin “kryesisht të paqëndrueshme, ose të paqarta”, sipas deklaratës së administratës ushqimore, transmeton Koha.net. Në fakt, minjtë e ekspozuar ndaj rrezatimit të celularëve jetuan më gjatë sesa ata që nuk janë ekspozuar, një gjetje që Shuren i AUI-së thotë se agjencia po e vlerëson. Dallimi mund të jetë thjeshtë një rezultat i shansit, raporton STAT News.

Çfarë nënkuptojnë këto rezultatet në brejtësit për njerëzit? Jo shumë, thonë ekspertët. “Edhe me përdorimin e shpeshtë e të përditshëm [të celularëve] nga shumica dërrmuese e të rriturve, ne nuk kemi parë ndonjë rritje të tumoreve të trurit”, thuhet në deklaratën e AUI-së.

Otis Brawley, zyrtari kryesor mjekësor i Shoqatës Amerikane të Kancerit, u pajtua me deklaratën e ekspertëve në një intervistë me The Associated Press. “Evidenca për një lidhje mes celularëve dhe kancerit është e dobët, dhe deri më tani, nuk kemi parë një rrezik të lartë të kancerit te njerëzit”, ka thënë Brawley për AP në një intervistë telefonike, përcjell Koha.net. “Aktualisht jam duke e mbajtur celularin tim në vesh”.

© KOHA

Komentet

Shto koment

Të ngjashme