Lifestyle

Për të mësuar gjëra të reja, duhet harruar

Thonë se pasi që njëherë mëson ta ngasësh biçikletën, nuk do të harrosh kurrë. Por studimi i ri tregon se, gjatë mësimit, truri në mënyrë aktive përpiqet të harrojë. Studimi, nga shkencëtarët në EMBL dhe Universiteti Pablo Olavide në Sevilla të Spanjës, është publikuar ditë më parë në Nature Communications.

“Kjo është hera e parë që një rrugë në tru është lidhur me të harruarit, për t’i fshirë në mënyrë aktive kujtimet”, thotë Cornelius Gross, i cili e udhëhoqi punën në EMBL.

Në nivelin më të thjeshtë, të mësuarit e përfshin krijimin e lidhjeve, dhe të kujtuarit e tyre. Duke punuar me minj, Gross dhe kolegët e studiuan hipokampusin, një zonë kjo e trurit e cila prej kohësh njihej që ndihmon në formimin e kujtimeve. Informacionet hyjnë në këtë pjesë të trurit përmes tri rrugëve të ndryshme. Derisa kujtimet çimentohen, lidhjet midis neuroneve përgjatë rrugës 'kryesore' bëhen më të forta.

Kur e bllokuan këtë rrugë kryesore, shkencëtarët zbuluan se minjtë nuk ishin më të aftë ta mësonin një reagim Pavlovian – shoqërimi i tingullit me pasojë, dhe parashikimi i kësaj pasoje. Por në qoftë se minjtë kishin mësuar lidhjen apo asocimin para se shkencëtarët të ndalonin rrjedhjen e informacionit në këtë rrugë kryesore, ata ende mund ta rifitonin atë kujtesë, transmeton Koha.net. Kjo konfirmoi se kjo rrugë është e përfshirë në formimin e kujtimeve, por nuk është e domosdoshme për t’i kujtuar ato kujtime. Kjo e fundit sigurisht ka të bëjë me rrugën e dytë në hipokampus, supozojnë shkencëtarët.

Por, bllokimi i asaj rruge kryesore e kishte një pasojë të papritur: lidhjet përgjatë saj u dobësuan, që do të thotë se kujtesa ishte duke u shuar.

“Bllokimi i thjeshtë i kësaj rruge nuk duhet të ketë efekt në forcën e saj”, thotë Agnès Gruart nga Universiteti Pablo Olavide. “Kur hulumtuam më tej, zbuluam se aktiviteti në njërën nga rrugët e tjera po e nxiste këtë dobësim”.

Është interesante se kjo shtytje aktive për të harruar ndodh vetëm në situata të të mësuarit. Kur shkencëtarët e bllokuan rrugën kryesore në hipokampus në rrethana të tjera, forca e lidhjeve të saj mbeti e pandryshuar.

“Një shpjegim për këtë është se ka hapësirë të kufizuar në tru, kështu që kur mësoni, ju duhet t’i dobësoni disa lidhje për të liruar vend për të tjerat”, thotë Gross. “Për të mësuar gjëra të reja, ju duhet t’i harroni gjërat që i keni mësuar më parë”.

Gjetjet janë bërë duke përdorur minj të inxhinieruar gjenetikisht, por me ndihmën e laboratorit të Maja Kohn në EMBL, shkencëtarët demonstruan se është e mundur të prodhohet një ilaç i cili e aktivizon këtë rrugë 'harrese' në tru pa pasur nevojë për inxhinieri gjenetike. Kjo qasje, thonë ata, mund të jetë interesante në shqyrtimin e mënyrave për t’i ndihmuar njerëzit që t’i harrojnë përvojat traumatike.