Lifestyle

Alkooli e dëmton ADN-në dhe shkakton kancerin

Foto: Ilustrim

Alkooli i dëmton qelizat përgjegjëse për prodhimin e gjakut të ri, janë këto rezultatet e studimit më të ri i cili mund ta shpjegojë lidhjen midis konsumit të alkoolit dhe kancerit.

Ekspertët kanë paralajmëruar prej kohësh se konsumimi i alkoolit kontribuon në shtatë lloje të kancerit – të gojës, fytit, laringut, ezofagut, gjirit, mëlçisë dhe zorrës së trashë.

Në një studim të ri, shkencëtarët u dhanë minjve alkool të holluar të njohur si etanol, transmeton koha.net.

Ata më pas përmes analizës së kromozomeve dhe ADN-së konfirmuan dëmtimet gjenetike të shkaktuara nga acetaldehidi, një substancë kimike që prodhohet kur trupi e përpunon alkoolin, përcjell AFP.

"Ata konfirmuan se acetaldehidi mund të shpërthejë dhe ta dëmtojë ADN-në brenda qelizave burimore të gjakut gjë që çon në një çrregullim të kromozomeve dhe ndryshime të përhershme në strukturën e ADN-së brenda këtyre qelizave", deklaroi Qendra e Britanisë për Kërkime mbi sëmundjet e kancerit, e cila ndihmoi në financimin e hulumtimit.

Dëmtimi i ADN-së mund të çojë në vdekjen e qelizave, por gjithashtu të shkaktojë reagim të natyrshëm të organizmit në rimëkëmbje. Megjithatë, nëse ADN-ja nuk "riparohet" siç duhet, atëherë zhvillohet kanceri. Kur ndodh dëmtimi i qelizave burimore, kjo çon në shfaqjen e kancerit, thonë studiuesit.

"Derisa disa dëmtime qelizore ndodhin rastësisht, hulumtimet tona tregojnë se konsumimi i alkoolit mund ta rrisë rrezikun prej këtij dëmtimi", tha një nga autorët, Ketan Patel, nga Laboratori i Biologjisë Molekulare në Cambridge.