Me të vegjlit bisedoni si me të rriturit

Me të vegjlit bisedoni si me të rriturit

20 janar 2018 08:59

Bisedoni me foshnjat dhe fëmijët e vegjël si me të rriturit, duke përdorur sintaksën dhe fjalorin kompleks, andaj truri dhe inteligjenca e tyre do të zhvillohen më mirë, ka konstatuar një studim amerikan.

"Nuk është qëllimi vetëm të pasurohet fjalori i tyre, por edhe cilësia e të folurit," theksoi Erika Hoff nga universiteti Florida Atlantic në konferencën vjetore të Shoqatës Amerikane për Avancimin e Shkencës (AAAS) në Çikago, transmeton koha.net.

"Prindërit me fëmijët duhet të bisedojnë me një gjuhë të pasur dhe komplekse," tha Hoff, ndërsa përcjell AFP.

Ajo tha se biseda me foshnjat është aq e rëndësishme sa që fëmijët që janë rritur në një ambient në të cilin flitet më pak në përgjithësi shënojnë rezultate më të këqija në shkollë. Sa më parë të filloni të flisni me fëmijët aq më mirë, shtoi ajo.

Shkencëtarët kanë vënë në dukje se për zhvillimin kognitiv të fëmijëve është më mirë që me ta të shkëmbehen fjali komplekse si në bisedat me të rriturit, në vend se vetëm t’u pëshpëriten dhe t’u thuhen fjalë dhe fjali të thjeshta.

Shkencëtarët thonë se këto dallime mund të shihen në strukturat e trurit të fëmijëve. Neurologia nga Universiteti Columbia në New York, Kimberly Noble, dhe kolegët e saj kryen një studim në të cilin e kanë krahasuar zhvillimin e trurit tek fëmijët nga familjet më pak të arsimuara dhe fëmijët e prindërve me arsim të lartë dhe standard më të lartë të jetesës.

Studimi gjeti dallime në sistemet kognitive të cilat merren me aftësitë sociale dhe me kujtesën, por dallimet më të dukshme vihen re në zonat e trurit përgjegjëse për zhvillimin e të folurit.

© KOHA. Të gjitha të drejtat janë të rezervuara.

Komentet

Shto koment

Të ngjashme