Lifestyle

Bakteret e gojës dhe të zorrëve mund të jenë të lidhura me migrenat

Njerëzit me migrena kanë nivele të larta të mikrobeve të caktuara në gojët e tyre dhe në sistemet e tretjes, sugjeron studimi i ri.

Në mënyrë specifike, analiza e të dhënave nga projekti i quajtur American Gut Project zbuloi se personat që vuajnë nga migrena kishin sasi dukshëm më të larta të mikrobeve që e ulin nivelin e nitrateve sesa personat pa migrena. Projekti i përfshiu mbi 170 mostra orale dhe pothuajse 2,000 mostra fekale, thanë studiuesit, transmeton koha.net.

"Është kjo ideja se disa ushqime shkaktojnë migrena - çokollata, vera, dhe sidomos ushqimet që përmbajnë nitrate," tha autori kryesor Antonio Gonzalez, nga Universiteti i Kalifornisë, San Diego.

"Ne kemi menduar se ndoshta ekziston një lidhje mes mikrobiomit të dikujt dhe asaj se çfarë hanë njerëzit," shpjegoi ai.

Edhe pse studiuesit e gjetën një lidhje, ata nuk arritën ta dëshmojnë ndonjë lidhje shkak-pasojë. Nevojiten hulumtime të mëtejshme për të mësuar më shumë rreth lidhjes në mes të mikrobeve dhe migrenës, thanë autorët e studimit. Është e mundur që rezultatet e hulumtimeve të tilla mund të çojnë në trajtime të reja të migrenës, shtuan ata.

Studimi u publikua në revistën mSystems, një revistë kjo nga Shoqata Amerikane për Mikrobiologji.

Shumë prej 38 milionë personave që vuajnë nga migrena në Shtetet e Bashkuara e kanë vërejtur një lidhje midis migrenës dhe konsumimit të nitrateve. Nitratet ndodhen në ushqimet si mishi i përpunuar dhe perimet me gjethe të gjelbra. Ato ndodhen gjithashtu në ilaçe të caktuara, thanë autorët e studimit në një deklaratë për shtyp për revistën.