Lifestyle

Si të mbrohemi nga gripi?

Gripi nuk duhet të neglizhohet dhe që në shenjat e para të tij konsultohuni me mjekun e familjes. Mjeku i familjes duhet të vlerësojë me seriozitet të gjitha shenjat me të cilat çdo i sëmurë dyshohet i infektuar me virusin e gripit.

Përdorimi i medikamenteve kundër Gripit si Tamiflu është i përshtatshëm vetëm me rekomandimin e mjekut dhe kur ai e shikon të nevojshme. Ndiqni masat e mëposhtme sidomos ato të higjienës respiratore dhe të përgjithshme.

Vaksinimi me vaksinën e Gripit ndonëse jo me një efikasitet të lartë ka vlerë edhe tani.

Gripi sezonal është një infeksion viral akut shkaktuar nga virusi i gripit, i cili përhapet lehtë nga njeriu tek njeriu. Gripi mund të prekë çdo njeri në çdo grupmoshë.

Gripi transmetohet nga njeriu tek njeriu me spërkla gjate teshtimave, kollitjes apo gjatë bisedimit. Më rrallë një individ mund infektohet me virusin e gripit duke prekur objekte të ndotura me këtë virus dhe pastaj individi të prekë gojën apo hundën e tij me duart e infektuara.

Një individ i infektuar mund të infektojë të tjerët 1 ditë para se simptomat të shfaqen deri në 5-7 ditë pasi është sëmurë. Simptomat shfaqen 1-4 ditë pasi virusi është futur në trup. Pra ju mund ta transmetoni virusin dikujt tjetër përpara se ta kuptoni që jeni sëmurë, gjithashtu e transmetoni virusin edhe kur jeni të sëmurë.

Shenjat më të zakonshme të gripit janë temperaturë e lartë, kollë, dhimbje fyti. Shenja të tjera të mundshme janë: lodhje, dhimbje koke, të përziera, diarre, të vjella, dhimbje barku, rrjedhje të hundëve si dhe dhimbje muskujsh.

Tre hapat që duhen të ndiqen për të luftuar gripin janë: vaksinimi me vaksinën kundër gripit, marrja e masave të nevojshme çdo ditë për të parandaluar përhapjen e virusit të gripit si dhe përdorimi i medikamenteve antivirale nën përshkrimin e mjekut.

Mënyra më e mirë e parandalimit të virusit të gripit është vaksinimi me vaksinën kundër gripit. Vaksinimi mbron vete personin si dhe ndihmon në mos përhapjen e gripit. Vaksinimi çdo vit është e rëndësishme pasi virusi i gripit është i paparashikueshëm, pasi viruset e gripit janë në ndryshim të vazhdueshëm dhe imuniteti nga vaksina e bërë bie me kalimin e kohës.

ISHP rekomandon kryerjen e një vaksine ndaj gripit çdo vit, si mënyra e parë dhe më e mirë për tu mbrojtur nga gripi.

Vaksina e gripit mund të reduktojë sëmundjet prej gripit, vizitat tek doktori, mungesat në punë dhe në shkollë prej gripit si dhe parandalon shtrimet në spital si rrjedhojë e gripit. Vaksinën kundër gripit duhet ta bëjnë të gjithë individët në risk të lartë për të zhvilluar komplikime të rënda ndaj gripit si: fëmijët mbi 6 muaj, gratë shtatzëna, individë me sëmundje kronike si astma, diabeti, sëmundje kardiovaskulare, sëmundje pulmonare si dhe individët e moshës mbi 65-vjeç.

Vaksinimi i punonjësve të kujdesit shëndetësor është shumë i rëndësishëm për të mbrojtur vetveten dhe sidomos pacientët të cilët janë në grupet në risk.

Veprimet e përditshme të cilat ndihmojnë në parandalimin e përhapjes së virusit të gripit.

Mundohuni të evitoni kontaktet e afërta me individë të sëmurë.

Nëse jeni të sëmure qëndroni në shtëpi për të paktën 24 orë.

jeni të sëmurë evitoni kontaktet me të tjerët pasi virusi i kripit është shumë ngjitës.

Mbuloni hundën dhe gojën me një shami kur të teshtini dhe kolliteni dhe hidheni pasi ta keni përdorur.

Lani duart shpesh dhe me sapun dhe ujë ose përdorni solucione duarsh me alkool.

Mos prekni sytë, hundën dhe gojën me duar pasi virusi përhapet në këtë mënyrë.

Pastroni dhe dezinfektoni sipërfaqet dhe objektet që mund të jenë kontaminuar me virus.

Konsultohuni me mjekun për mjekimin me ilaçe kundër gripit.

Ilaçet kundër gripit mund të përdoren vetëm nëse jeni të sëmurë me grip, dhe të rekomanduara nga mjeku.

Ilaçet kundër gripit duhet të fillohen brenda 48 orëve të para të fillimit të sëmundjes.

Ilaçet ndaj gripit mund ta bëjnë sëmundjen më të butë si dhe të shkurtojnë kohën që ju jeni të sëmurë. Ato mund të parandalojnë edhe komplikimet e rënda që mund të vijnë nga gripit.