Lifestyle

Nxënësit nga vendet religjioze janë më të dobët në matematikë

Ndikimi negativ i orëve të shumta të edukimit fetar në shkolla?

Nxënësit nga vendet religjioze arrijnë rezultate më të dobëta në shkencë dhe matematikë në krahasim me nxënësit që vijnë nga vendet më pak religjioze, zbulon një studim i ri.

“Vendet që janë më religjioze arrijnë nota më të dobëta në arsimim”, tha bashkautori i studimit, prof. Gijsbert Stoet, transmeton Koha.net. Si rezultat i studimit, ai këshilloi që “qeveritë do të duhej t’i ngrinin standardet arsimore, dhe me këtë edhe standardin e jetesës, ashtu që fenë ta mbajnë jashtë shkollës për t’ia marrë ndikimin në përcaktimin e politikës arsimore”.

Studimi i përbashkët i akademikëve nga Universiteti Leeds Beckett dhe Universiteti Missouri konstatoi se ekziston një korrelacion “i fortë” negativ midis kohës së shpenzuar për edukimin fetar në shkollat e mesme dhe performancës së përgjithshme të nxënësve. Në një studim të publikuar në revistën Intelligence, 82 shtete janë renditur sipas “vlerësimit të religjiozitetit” i cili varion nga 0 deri në 10, dhe më pas u vlerësua suksesi akademik i këtyre vendeve bazuar në të dhënat nga dekada e kaluar.

Si vende me edukimin më laik u vlerësuan Çekia, Japonia, Suedia, Estonia dhe Norvegjia, ndërsa më religjiozet ishin: Jordania, Jemeni, Egjipti, Katari dhe Indonezia.

Profesori Stoet dhe dr. David Geary i krahasuan të dhënat nga Programi Ndërkombëtar i Vlerësimit të Studentëve (PISA) dhe Trendet në Hulumtimin Ndërkombëtar të Matematikës dhe Shkencës (TIMSS) për ta vlerësuar ndikimin arsimor të nxënësve në vende të ndryshme. Më pas e matën religjiozitetin duke i përdorur hulumtimet World Values dhe European Social.

Zbulimet e tyre tregojnë se nxënësit në shtetet më religjioze arrijnë rezultate më të këqija në shkencë për shkak të mospërputhjes midis teorisë së evolucionit dhe besimeve tradicionale. Profesori Stoet si një shembull përkatës e përshkroi Arabinë Saudite, e cila është në vendin e 72-të për shkak të religjiozitetit, ndërsa në vitin 2004 e kishte një rezultat të matematikës prej -1.8. Vendet e Gjirit nuk janë aktualisht në konflikte civile dhe kanë edukim falas, por orë të shumta në javë ia kushtojnë arsimimit fetar.

Megjithatë, në hulumtim nxënësit nuk ishin pyetur drejtpërdrejt rreth fesë, kështu që profesori Stoet donte të theksonte se shkaku dhe pasojat e drejtpërdrejta nuk mund të përcaktoheshin. Profesori thekson se në shkolla duhet të mësohet për religjionin, por jo të mësohen nxënësit se si ta praktikojnë religjionin.

“Unë personalisht besoj se shkollat duhet të jenë laike, sepse shohim se si ekziston marrëdhënia midis religjionit dhe arsimit dhe konsideroj se do të ishte mirë që sistemi shkollor të përqendrohet në shkencë dhe matematikë”, tha Stoet, përcjell Koha.net. Ai gjithashtu shtoi se ishte “i bindur” se ekzistojnë shkolla të mira fetare, por që mësimi i religjionit “duhet të jetë minimal”.

Studimi gjithashtu tregoi se femrat janë në përgjithësi më religjioze sesa meshkujt. “Megjithëse dihet tashmë se edukimi fetar në shkolla çon në segregimin e komuniteteve, tani është gjithashtu e qartë se religjioziteti lidhet drejtpërdrejt me rezultatet më të dobëta arsimore”, shpjegoi prof. Stoet.

“Megjithëse nevojiten hulumtime të mëtejshme të mekanizmave, këshilla ime për politikëbërësit e edukimit është që ta mbajnë ndaras arsimimin dhe religjionin dhe ta miratojnë një qasje laike kur bëhet fjalë për arsimimin”.