Lifestyle

Të martuarit janë më të lumtur se beqarët

Personat të cilët janë të martuar kanë më shumë arsye të jenë të lumtur se ata që janë të lirë dhe madje vetëm për shkak se ata që kanë partnerë mund t’i ndajnë shpenzimet, nuk duhet të kenë frikë se do të vdesin të vetmuar dhe mund të kalojnë kohë me bashkëshortët e tjerë të kënaqur, sipas një studimi të publikuar në “Journal Happiness Studies”.

Përveç kësaj, njerëzit që janë martuar ndiejnë mirëqenie dhe janë përgjithësisht më të kënaqur me jetën e tyre.

Hulumtuesit i morën të dhënat bazuar në dy sondazhe britanike, ndërsa qëllimi ishte të shqyrtoheshin avantazhet e martesës dhe miqësisë martesore. Anketën, e cila midis viteve 1991 dhe 2009 mblodhi të dhëna nga 30.000 persona, e shqyrtuan autorët e studimit Shawn Grover dhe John Helliwell nga Shkolla për ekonomi në Vancouver, transmeton Koha.net. Hulumtuesit i shqyrtuan edhe ekzaminimet vjetore të popullsisë në mes të vitit 2011 dhe 2013 dhe kështu siguruan informacione për 328,000 britanikë dhe zbuluan se sa janë të kënaqur njerëzit të cilët janë të martuar, sa të kënaqur janë ata të cilët nuk janë aktualisht të martuar dhe ata që kurrë nuk kanë qenë të martuar.

Pas shqyrtimit të kujdesshëm të të dhënave, ata zbuluan se martesa mund ta rrisë ndjeshëm kënaqësinë për jetën, veçanërisht për ata që i afrohen moshës së mesme. Përveç kësaj, shkencëtarët i kanë studiuar edhe efektet që miqësia midis bashkëshortëve mund t’i ketë dhe zbuluan se ajo mund të jetë çelësi për mirëqenie afatgjate.

“Mirëqenia martesore është më e madhe mes atyre që besojnë se partneri është miku i tyre më i mirë”, konkluduan autorët.