Shkencëtari Edward Dutton pretendon se po bëhemi gjithnjë e më pak inteligjentë

Shkencëtari Edward Dutton pretendon se po bëhemi gjithnjë e më pak inteligjentë

30 dhjetor 2017 22:42

Njerëzit janë gjithnjë e më pak inteligjentë, ndërsa arsyet janë përmirësimi i kushteve të jetesës së gjeneratave bashkëkohore, të cilat po i ngadalësojnë reagimet, po e zvogëlojnë aftësinë e dallimit të ngjyrave dhe mbajtjes mend të numrave, duke e ulur nivelin e gjenialitetit, pohon antropologu Edward Dutton.

“Të gjitha këto ndryshime i konstatojmë gjatë njëqind vjetëve të fundit. Kështu që gjeneratat tona po bëhen gjithnjë e më pak inteligjente dhe më pak të zhvilluara intelektualisht, ndërsa e gjithë kjo është pasojë e gjenetikës”, thotë Dutton, i cili ligjëron antropologjinë në universitet në qytetin finlandez Oulu.

Sipas mendimit të Duttonit, intelekti “trashëgohet 80%”, transmeton Koha.net. Në praktikë më parë ekzistonte një përzgjedhje e fuqishme natyrore në favor të të mençurve.

Përfaqësues të tillë të njerëzimit zakonisht ishin më të pasur, ndërsa me këtë edhe ishin në pozitë që të shumoheshin dhe të rritnin më shumë pasardhës.

Deri në kohën e revolucionit industrial, në çdo gjeneratë deri në 50 për qind e njerëzve të pasur arritën të rrisin 40 për qind të pasardhësve, duke pasur parasysh se shkalla e vdekshmërisë së fëmijëve ishte shumë më e lartë se sot.

Në shekullin XIX, niveli i intelektit u bë më i lartë, gjë që çoi në zbulime të rëndësishme. “Erdhi deri tek revolucioni industrial”, thotë Dutton, duke treguar për rëndësinë e paraqitjes së vaksinës, e cila e reduktoi vdekshmërinë e hershme.

Njëkohësisht, në familjet e varfëra gjithnjë e më shumë filluan të mbijetonin fëmijë, ndërsa të pasurit, të cilët ishin zakonisht më të arsimuar - kishin më pak lindje.

Në këtë trend, përveç kontracepsionit, ndikoi edhe fakti se femrat nga familjet e pasura u arsimuan dhe filluan të punonin, dhe kështu kishin më pak mundësi që të qëndronin vetëm në shtëpi dhe ta krijonin një familje të madhe, përcjell Koha.net.

Teoria e Dutton, e cila shumicës në botën shkencore nuk i pëlqen, por e konsiderojnë se ka baza, megjithatë u menjanua nga versioni i fundit i një filmi të “Art kanalit”, i cili si arsye kryesore të rënies së përgjithshme të inteligjencës i përmend komponimet kimike, të cilat që në mitrën e nënës ndikojnë negativisht në zhvillimin e trurit të fëmijës.

Fillimisht filmi duhej t'i përkushtohej problemit të aspektit gjenetik të këtij fenomeni. Megjithatë, në fund, ajo pjesë nuk u procesua fare.

“Ka pasur edhe nga ata që thoshin – ‘Po, shkëlqyeshëm, publikojeni këtë punim shkencor’. Ndërsa ndonjë recensent tjetër thoshte se kjo nuk do të duhej të publikohej në asnjë mënyrë. Si duket publiku ka frikë nga konkludimet e mia”, thotë Dutton.

© KOHA

Komentet

Shto koment

Të ngjashme