Pse meshkujt i përballojnë më vështirë ftohjet dhe gripin

Pse meshkujt i përballojnë më vështirë ftohjet dhe gripin

31 dhjetor 2017 08:31

Gjykuar nga studimi i shkencëtarëve gjermanë, problemi i “ftohjes mashkullore” nuk është vetëm një mit. Ftohja, virozat dhe temperaturat prej 37.2 si duket meshkujt i përballojnë më vështirë sesa femrat.

Dr. Beatrix Grubeck-Loebenstein është imunologe në Universitetin e Innsbruck dhe po i studion dallimet në sistemet imunitare midis gjinive, transmeton Koha.net. Rezultatet e hulumtimit të saj janë pa asnjë dyshim muzikë për veshët e meshkujve, të cilët femrat nuk i marrin mjaft seriozisht kur vjen puna për vuajtjen nëpër të cilën ata duhet të kalojnë gjatë gripit.

“Thënë thjesht, për shkak të ndryshimeve në reagimin imunitar ndaj sëmundjes, meshkujt sëmuren më shpesh sesa femrat”, tha dr. Grubeck-Loebenstein. Ajo shpjegoi se kundër mikroorganizmave patogjenë, të cilët e sulmojnë organizmin luftojnë qelizat e imunitetit dhe qelizat e imunitetit jospecifik. Qelizat jospecifike janë të efektshme vetëm në luftën kundër patogjenëve të caktuar, si virusi i gripit, dhe ato në këtë rast ia mundësojnë organizmit që të mbrohet vetë kundër një game të tërë të baktereve, viruseve dhe parazitëve.

Megjithatë, ekziston një numër relativisht i vogël i çdo lloji të qelizave specifike. Për ta shkatërruar mikroorganizmin patogjen, qelizat specifike të imunitetit duhet të shumëzohen një milion herë. Këtu vijnë në shprehje ato dallime në reagimin imunitar mes gjinive: ndërsa hormoni femror estrogjeni ndihmon në përhapjen e qelizave specifike imune, veprimi i hormonit mashkullor testosteronit është i kundërt. Studimet e mëparshme kanë treguar se estrogjeni ka veti të forta antivirale kundër HIV-it, hepatitit dhe ebolës.

“Pra, estrogjeni e stimulon sistemin imunitar, ndërsa testosteroni e shtyp dhe e frenon atë”, konfirmoi dr. Marcus Altfeld, përndryshe udhëheqës i Departamentit të Kërkimeve Imunologjike në institutin e Hamburgut Heinrich Pette, ku e studion biologjinë e viruseve patogjene njerëzore. “Sistemi imunitar femëror reagon shumë më shpejt dhe më agresivisht ndaj mikroorganizmave patogjenë sesa ai i meshkujve”, shpjegoi ai.

Ai gjithashtu vuri në dukje se, meqë niveli i testosteronit mashkullor është më i lartë, sistemi imunitar i meshkujve është më i dobët, përcjell Koha.net. Shkencëtarët e pranojnë se nuk e kanë krejtësisht të qartë se pse hormoni që u jep meshkujve veti të maskulinitetit, është edhe faktor që e bën shëndetin mashkullor më “të dobët”. Ata besojnë se një nga përgjigjet e mundshme duhet të kërkohet në të kaluarën e largët, pasi që sistemi imunitar i njeriut po zhvillohet për miliona vjet.

“Në epokën e gurit paraardhësit tanë jetonin në shpella dhe kështu u ekspozuan ndaj rreziqeve të ndryshme. Qëllimi i sistemit imunitar femëror ishte, siç është edhe sot, në thelb i njëjtë - të mbrohet foshnja e palindur apo i porsalinduri. Për shkak të kësaj, një sistem i tillë imunitar duhej të ishte jashtëzakonisht i fuqishëm”, thotë dr. Altfeld.

Edhe Grubeck-Loebenstein e lidh reagimin femëror imunitar me lindje dhe amësi: “Efekti i sistemit imunitar të përforcuar me estrogjen është veçanërisht i fortë në mesin e femrave të reja pas pubertetit. Kjo zvogëlohet pastaj me moshën, dhe sidomos pas menopauzës”.

Gjithsesi, testosteroni nuk është i vetmi faktor që meshkujt i përballojnë më vështirë ftohjet virale dhe problemet e ngjashme, pasi që ka edhe faktorë të tjerë. “Meshkujt shpesh ushqehen pashëndetshëm, përgjithësisht janë më pak të disiplinuar kur bëhet fjalë për sëmundjet, dhe në veçanti janë të padisiplinuar kur bëhet fjalë për vaksinimin”.

© KOHA

Komentet

Shto koment

Të ngjashme