Bashkëshortësia zvogëlon rrezikun që të sëmuremi nga demenca

Bashkëshortësia zvogëlon rrezikun që të sëmuremi nga demenca

30 dhjetor 2017 15:22

Sipas rezultateve të një studimi të ri, të pamartuarit e kanë një rrezik 42 për qind më të lartë që të sëmuren prej dementisë sesa njerëzit e martuar. Vejanët dhe të vejat kanë 20 për qind shanse më të larta të sëmuren.

Studiuesit nga Universiteti i Londrës i analizuan rezultatet e 15 studimeve të veçanta në të cilat studiuan lidhjen midis dementisë dhe gjendjes martesore. Në këtë mënyrë ata i analizuan të dhënat e 800.000 personave në mbarë botën, transmeton koha.net.

Sipas dr. Laura Phipps nga Instituti britanik për kërkime të sëmundjes Alzheimer, ekzistojnë shumë përfitime shëndetësore prej martesës.

"Personat të cilët janë të martuar në përgjithësi qëndrojnë më mirë financiarisht, dhe ky është një faktor që është ndërthurur me shumë aspekte të shëndetit tonë. Bashkëshortët mund ta ndihmojnë njëri-tjetrin në promovimin e shprehive të shëndetshme, i kushtojnë vëmendje shëndetit të partnerëve dhe u ofrojnë partnerëve mbështetje të rëndësishme shoqërore", tha Phipps.

Psikiatri Andrew Sommerlad, i cili ka punuar në hulumtim, vuri në dukje se mënyra e shëndetshme e jetesës ndikon pozitivisht në shëndetin mendor.

"Kur zhvillohet dementia, ndër të tjera kjo çon në akumulimin e dëmtimit brenda trurit. Ne besojmë se kjo mund të zvogëlohet me mirëmbajtjen e shëndetit të përgjithshëm dhe ushqyerjen e shëndetshme, si dhe me ushtrime. Gjithashtu, ne mendojmë se është e mundur të zhvillohet kapaciteti i trurit i cili quhet rezervë kognitive me qëllim që truri ta përballojë më gjatë dëmin e brendshëm. Kjo arrihet përmes mirëmbajtjes aktive të jetës mendore dhe sociale", tha ai.

Kjo është arsyeja se pse, sipas studiuesve, martesa dhe kujdesi që ofrohen nga partnerët për njëri-tjetrin janë faktorë që kontribuojnë në reduktimin e rrezikut të sëmundjes mendore në fazat e mëvonshme jetësore.

© KOHA. Të gjitha të drejtat janë të rezervuara.

Komentet

Shto koment

Të ngjashme