Radoni në shtëpi mund të ketë lidhje me kanceret e gjakut tek femrat

Radoni në shtëpi mund të ketë lidhje me kanceret e gjakut tek femrat

30 dhjetor 2017 08:14

Hulumtimi i ri e tregon një lidhje të fortë mes ekspozimit ndaj niveleve të larta të radonit në shtëpi dhe rrezikut të femrave nga kanceret e gjakut.

Radoni është një gaz radioaktiv natyral, thotë Agjencia Amerikane për Mbrojtjen e Mjedisit. Për të dihet se shkakton kancer të mushkërive dhe është shkaku i dytë kryesor i kancerit të mushkërive në Shtetet e Bashkuara, thanë studiuesit, transmeton koha.net.

Shoqata Amerikane e Kancerit mblodhi informacione gjatë 19 vjetëve për më shumë se 140.000 amerikanë si pjesë e një studimi të parandalimit. Gjatë kësaj kohe u diagnostikuan diç më shumë se 3.000 raste të kancerit të gjakut. Kanceret përfshinë leukemi, limfomë dhe miklomë.

Femrat që jetonin në vendet me nivele të larta të radonit kishin 63 për qind më shumë të ngjarë të zhvillojnë kancer të gjakut se ato në vendet me nivele të ulëta të radonit. Nuk ishte parë asnjë lidhje në mesin e meshkujve, vuri në dukje studimi.

Studimi është publikuar në internet së fundi në revistën Environmental Research.

"Rreziku i përgjithshëm gjatë jetës nga kanceret hematologjike [të gjakut] në Shtetet e Bashkuara është rreth 2 për qind, kështu që edhe një rritje relative prej 60 për qind do ta nënkuptonte një rrezik relativisht të vogël absolut," tha udhëheqësja e studimit Lauren Teras, nga shoqata amerikane për kancer, në një njoftim për shtyp në revistë.

Është gjithashtu e rëndësishme të theksohet se studimi është dizajnuar vetëm për ta treguar një lidhje, dhe jo një lidhje shkak-pasojë.

"Megjithatë, radoni tashmë lidhet me kancerin e mushkërive, dhe në qoftë se studimet e tjera e konfirmojnë lidhjen me kanceret e gjakut, ne mendojmë se kjo do t’i justifikonte përpjekjet e forcuara të shëndetit publik për t’i zbutur rreziqet rezidenciale prej radonit," shtoi Teras.

Autorët e studimit thanë se hulumtime të mëtejshme janë të nevojshme për të mësuar më shumë rreth lidhjes midis radonit dhe kancereve të gjakut dhe nëse femrat në fakt e kanë një rrezik më të lartë se meshkujt.

Në vitin 2016 pritet që do të ketë më shumë se 171,000 raste të reja amerikane të kancereve të gjakut dhe më shumë se 58.000 vdekje nga këto kancere, thanë studiuesit.

© KOHA. Të gjitha të drejtat janë të rezervuara.

Komentet

Shto koment

Të ngjashme