Lifestyle

Fëmijët me kujtesë të mirë gënjejnë edhe më mirë

Fëmijët të cilët kanë kujtesë të mirë gënjejnë edhe më mirë, konkluduan psikologët britanikë dhe amerikanë, përcjell BBC.

Studimi përfshiu gjashtëvjeçarët dhe shtatëvjeçarët të cilëve u ishte dhënë mundësia të mashtrojnë në një kuiz dhe pastaj të gënjejnë në lidhje me këtë.

Fëmijët të cilët ishin gënjeshtarë të mirë ishin më të mirë në testet e kujtesës verbale, ose mundën të mbajnë mend më shumë fjalë, transmeton koha.net.

Kjo do të thotë se ata menaxhojnë me një sasi të madhe të informatave, edhe pse janë të prirur ndaj gënjeshtrave.

Hulumtimi është publikuar në gazetën për psikologji eksperimentale të fëmijës, ndërsa në të kanë punuar psikologë nga Universiteti i Floridës së Veriut, Sheffieldit dhe Stirlingut. Janë përfshirë 114 fëmijë nga katër shkolla britanike.

Duke përdorur kamera të fshehta gjatë lojës së pyetjeve dhe përgjigjeve, shkencëtarët i kanë identifikuar fëmijët të cilët fshehurazi e kishin shikuar përgjigjen në pyetje edhe pse u ishte thënë të mos e bëjnë këtë.

Zbulimi potencialisht befasues (për prindërit) është se vetëm një e katërta e fëmijëve kishin gënjyer duke e shikuar përgjigjen.

Hulumtimet e mëtejshme treguan se cilët fëmijë ishin gënjeshtarë të mirë, dhe cilët të këqij.

Hulumtuesit ishin veçanërisht të interesuar për aftësinë e fëmijëve që t’i maskojnë mirë gënjeshtrat e tyre. Në një test të veçantë të kujtesës, gënjeshtarët e mirë kishin treguar se e kishin një kujtesë më të mirë për fjalë, por nuk treguan se ishin më të mirë në kujtimin e fotografive (memoria vizuale-hapësinore).

Shkencëtarët thonë se kjo është për shkak se tek gënjimi është e rëndësishme mbamendja e një numri të madh të informacionit verbal, ndërsa mbamendja e fotografive është më pak e rëndësishme.

Elena Hoicka, psikologe në Universitetin e Sheffield, tha se ka edhe diçka të mirë në atë që fëmijët duan të gënjejnë.

"Edhe pse prindërit zakonisht nuk janë shumë të kënaqur kur fëmijët e tyre gënjejnë, ata të paktën mund të jenë të kënaqur kur fëmijët e tyre gënjejnë mirë, sepse kjo do të thotë se ata bëhen më të mirë në të menduar dhe kanë një kujtesë të mirë."

"Tashmë e dimë se të rriturit gënjejnë në një të pestën e kontakteve sociale që zgjasin 10 minuta ose më shumë, kështu që është interesante ta zbulojmë se pse disa fëmijë mund të gënjejnë më shumë se të tjerët."

Hulumtuesit tani duan të mësojnë më shumë rreth asaj se si fëmijët mësojnë të gënjejnë në radhë të parë, tha ajo.