Lifestyle

Hibernimi mund t’ua shpëtojë jetën pacientëve të caktuar

Descriptive Text

Shkencëtarët për vite me radhë po punojnë për ta shndërruar hibernimin (letargjinë) njerëzor në realitet, jo me qëllimin për ta shmangur dimrin, por për t'ia siguruar pacientit kohën e nevojshme që ilaçet kundër kancerit të fillojnë të veprojnë.

Profesori i kujdesit intensiv dhe mjekësisë në spitalin universitar në Londër, Mervyn Singer, tregoi se ekipi i tij është duke punuar në një ilaç i cili do të mundë të veprojë ashtu që organet vitale të njeriut si zemrën, trurin dhe arteriet t’i transferojë në gjendje hibernimi apo letargjie “të gjumit”, transmeton Koha.net. Kjo mund të shpëtojë mijëra jetë të pacientëve, që përjetojnë sulme në zemër dhe goditje në tru.

Profesori Singer beson se hibernimi mund t’i shpëtojë qelizat nga traumat vdekjeprurëse që ndodhin gjatë procedurave të reanimimit në rastet emergjente. Trauma e cila quhet lëndimi i reperfuzionit ndodh kur gjaku mblidhet në ind dhe i mbyll arteriet drejt zemrës, ose e ndalë punën e zemrës dhe shkakton goditje në tru.

Është e logjikshme që mjekët punojnë për t'i kthyer këta pacientë në jetë, apo qarkullimin e tyre me stentim ose hapjen e arterieve. Por shoku që ndodh pas kthimit të shpejtë të gjakut dhe oksigjenit e shkakton një reaksion inflamator që e shkatërron arterien vitale, zemrën dhe indet e trurit dhe përsëri mund të shkaktojë vdekjen.

Testi i parë në njerëz është planifikuar për vitin e ardhshëm. Në qoftë se rezulton se ky ilaç i cili çon në gjendje të hibernimit mund t’i mbrojë pacientët nga lëndimi i reperfuzionit, ky do të jetë trajtimi i parë i suksesshëm i letargjisë gjatë 20 vjetëve të përpjekjeve.

Shkencëtarët po i analizojnë për vite me radhë kafshët në hibernim (letargji) dhe aftësinë e tyre për ta ngadalësuar ritmin e zemrës, për ta ulur temperaturën e trupit deri në pikën e cila shkakton “vdekje” për muaj, pa e dëmtuar trurin dhe organet e tjera vitale, përcjell Koha.net. Besohet se kjo mund të kopjohet dhe të bëhet ilaç i cili në të njëjtën mënyrë do t’i mbrojë njerëzit dhe do t’i shërojë ata prej diabetit, sëmundjes së Alzheimerit dhe kancerit.

Shkencëtarët italianë po e hulumtojnë mundësinë e vendosjes së pacientëve që vuajnë nga kanceri në hibernim, për t’ua ftohur trupin në 13 gradë dhe për t’u përpjekur që t’u parandalohet përhapja e kancerit dhe për të vrarë sa më shumë qeliza të tumorit përmes rrezatimit. Këto teste ende nuk kanë filluar të aplikohen tek njerëzit.