Lifestyle

Pse nuk është mirë që fëmijët të kenë shumë lodra

Shumë prindër kanë probleme me lodrat e shumta të fëmijëve të tyre. Është e vështirë të gjesh hapësirë për to, dhe nganjëherë është e vështirë t’u rezistosh lutjeve të vazhdueshme të fëmijëve për t’iu blerë lodra, të cilat në fund shumë shpejt iu mërziten. Shpesh shtrohet pyetja se a duhet fëmijët të kenë shumë lodra dhe a mund të ndikojnë ato pozitivisht në zhvillimin e imagjinatës dhe kreativitetit të fëmijës.

Shkencëtarët nga Universiteti i Toledos në SHBA, në studimin e tyre synuan të zbulojnë se s’i ndikon numri i madh i lodrave tek fëmijët.

Në studimin e tyre morën pjesë 36 fëmijë. Fëmijët u ndanë në dy grupe. Në grupin e parë, fëmijët luajtën me 4 lodra, ndërsa në grupin tjetër ata u lejuan të luajnë me 16 lodra. Pas studimit të kujdesshëm, ekspertët erdhën në përfundimet vijuese, transmeton Koha.net. Fëmijët që luanin me më pak lodra ishin më imagjinativë dhe më kreativë. Me secilën lodër ata luajtën dy herë më gjatë dhe secilën herë ata shpiknin mënyra të reja për të luajtur me secilën lodër, duke e zgjatur kështu kohëzgjatjen e lojës.

Autorja i studimit, dr. Carly Dauch, tha: “Në këtë studim, ne jemi munduar të zbulojmë nëse numri i lodrave ndikon në cilësinë e lojës tek fëmijët. Për fëmijët që luajtën me 16 lodra, loja zgjati më shkurtër dhe ishte më sipërfaqësore. Lodrat e tjera, në thelb, ishin vetëm pengesë dhe i hutonin ata”.

Gjatë kohës së lojës, fëmijët zhvillohen, por disa prej tyre nuk mund ta ruajnë gjatë vëmendjen dhe përqendrimin e tyre. Disa faktorë nga mjedisi i tyre mund të ndikojnë në vëmendjen e tyre. Rezultatet e hulumtimit kanë treguar se pikërisht numri i madh i lodrave mund të ndikojë negativisht në vëmendjen e tyre. Kur fëmijët luajnë me një numër më të vogël lodrash, loja e tyre zgjat më shumë dhe kështu thellohet fokusi i tyre në hulumtime dhe zhvillohet edhe kreativiteti i tyre.

Në hulumtimet e mëparshme, shkencëtarët erdhën në përfundimin se fëmijët do të kujdesen më pak për një lodër të caktuar kur e dinë se kanë shumë lodra të tjera me të cilat mund të luajnë, përcjell Koha.net. Në Britani të Madhe u krye një studim i cili tregoi se fëmijët i kishin mesatarisht 238 lodra dhe, ndërsa luajnë çdo ditë me vetëm 12 prej tyre.

Shkencëtarët besojnë se kopshtet, shkollat dhe prindërit duhet t’i pastrojnë shumicën e lodrave dhe ta lënë vetëm një numër të vogël për ta inkurajuar kreativitetin tek fëmijët dhe për ta përmirësuar përqendrimin e tyre.