Lifestyle

Cila pjesë e ditës është më e mirë për ushtrime

Ndarja e kohës gjatë ditës për ushtrime është shumë e vështirë, kështu që shumë njerëz i përdorin orët e mbrëmjes për të ushtruar. Sidoqoftë, nëse mendoni se është njëjtë kurdo që ushtroni, atëherë gaboheni.

Një hulumtim amerikan i kryer kohët e fundit tregoi se më së miri është të ushtroni në mëngjes, sepse një regjim i tillë ka përfitime të shumëfishta. Ushtrimi në mëngjes menjëherë pas zgjimit në orët e hershme të mëngjesit rezulton në një rritje të numrit të neurotransmetuesve, transmeton Koha.net. Ato janë shumë të dobishme, e bëjnë mendjen “më të mprehtë” ndërsa shqisat më aktive. Gjithashtu, ushtrimi i hershëm në mëngjes i përmirëson funksionet kognitive.

Nga ana shëndetësore, ushtrimi në mëngjes e mban trupin aktiv gjatë gjithë ditës, më lehtë do të përballeni me stresin, ndërsa performanca juaj do të jetë më e mirë.

Ekspertët e shumtë të shëndetit thonë se trupi e djeg yndyrën më shpejt gjatë orëve të mëngjesit. Nëse hani para ushtrimeve, kjo do ta ngadalësojë procesin e djegies së yndyrës.

Përveç humbjes së peshës, ushtrimet në mëngjes janë gjithashtu efikase edhe për ndërtimin e masës muskulore.