Lifestyle

Lehtësia e mbjelljes së kujtimeve të rreme

"Zbulimi se një pjesë e madhe e njerëzve janë të prirur të zhvillojnë besime të rreme është i rëndësishëm", tha studiuesja Kimberley Wade.

Kujtesa është e gabueshme dhe e brishtë. Dhe siç e ka vërtetuar një ekip shkencëtarësh nga Universiteti i Warwick, ajo është gjithashtu çuditërisht e lehtë për t’u manipuluar, transmeton koha.net.

Më shumë se 50 për qind e pjesëmarrësve në disa studime "të mbjelljes së kujtesës" i kujtuan kujtimet e rreme si autentike. Ata i përfshinë ngjarjet e fabrikuara në historitë e tyre personale.

Hulumtuesit në Warwick i hulumtuan proceset dhe rezultatet e disa studimeve të mbjelljes së kujtesës në atë që quhet meta-analizë. Studimet e kombinuara u përbënë nga më shumë se 400 pjesëmarrës, të cilëve iu kishin sugjeruar ngjarje fiktive autobiografike në biseda dhe ndërveprime me hulumtuesit. Kujtimet e rreme përfshinë udhëtimin me një balon me ajër të nxehtë si fëmijë, krijimin e një skene në një martesë familjare dhe talljen me profesorin në shkollë të mesme.

Sipas studiuesve të Warwick, 30 për qind e pjesëmarrësve e pranuan vlefshmërinë e kujtesës së rreme, e kujtuan atë si të ishte përjetuar autentikisht, i zgjeruan ngjarjet dhe i ndanë imazhet e lidhura me kujtesën. Një tjetër 23 për qind e trashëguan kujtesën e mbjellë me më pak entuziazëm, por ende treguan shenja se e kanë pranuar atë si një kujtesë autentike. Ata u dakorduan se ishte diçka që në të vërtetë ka ndodhur.

Gjetjet, të detajuara në revistën Memory, e nxjerrin në pah dobësinë e proceseve të cilat mbështeten shumë në kujtesë, duke përfshirë edhe hetimet mjeko-ligjore, procedurat ligjore dhe sesionet terapeutike. Më gjerësisht, hulumtimi e paraqet mundësinë e mashtrimit të gjerë të frymëzuar nga keqinformimi - si lajmi i rremë i përhapur në të gjitha platformat e rrjeteve sociale.

"Konstatimi se një pjesë e madhe e njerëzve janë të prirë të zhvillojnë besime të rreme është i rëndësishëm", tha Kimberley Wade, psikologe në Warwick, në një deklaratë për shtyp. "Ne e dimë nga hulumtimet e tjera që besimet e shtrembëruara mund të ndikojnë në sjelljet, synimet dhe qëndrimet e njerëzve".

Legjenda: Në disa studime të kujtesës, hulumtuesit ishin në gjendje t’i bindin më shumë se gjysmën e pjesëmarrësve për vlefshmërinë dhe vërtetësinë e kujtimeve të rreme.