Për ta ruajtur informacionin e sapomësuar, ushtroni katër orë më vonë

Për ta ruajtur informacionin e sapomësuar, ushtroni katër orë më vonë

06 dhjetor 2017 08:04

"Ne mund ta përmirësojmë konsolidimin e kujtesës duke u marrë me sporte pas mësimit", tha studiuesi Guillén Fernández.

Një pushim i vogël pasdite mund t’i ndihmojë nxënësit të mbajnë mend se çfarë kanë mësuar gjatë mësimeve të tyre të mëngjesit. Hulumtimi i ri sugjeron se ushtrimet katër orë pas marrjes së informacionit të ri e rrisin kujtesën dhe ruajtjen e informacionit, transmeton koha.net.

Ushtrimi menjëherë pas mësimit nuk bën punë. Një ushtrim i mirë rreth katër orë më vonë është çelësi, sipas studiuesve në Qendrën Mjekësore të Universitetit Radboud në Holandë.

"Kjo tregon se mund ta përmirësojmë konsolidimin e kujtesës duke u marrë me sporte pasi të kemi mësuar," tha Guillén Fernández, studiues në Radboud’s Donders Institute, në një deklaratë për shtyp.

Hulumtuesit iu treguan 72 pjesëmarrësve të studimit 90 çifte të asociacioneve foto-lokacion. Nga njëri grup i pjesëmarrësve u kërkua të ushtrojnë menjëherë pas ushtrimeve të memorizimit, ndërsa tjetri ushtroi katër orë më vonë. Grupi i tretë, i kontrollit, nuk ushtroi fare.

Ushtrimet përfshinë trajnime të intervalit në një biçikletë stacionare, ku pjesëmarrësit arritën në një kulm prej 80 për qind të ritmit të tyre maksimal të zemrës.

Dy ditë më vonë, pjesëmarrësit u kthyen për ta bërë një test për asociacionet foto-lokacion. Shkencëtarët përdorën rezonancë magnetike për ta monitoruar aktivitetin e trurit të pjesëmarrësve derisa i nënshtroheshin testimit.

Ata që ushtruan katër orë pas mësimit i ruajtën asociacionet foto-lokacion më mirë se dy grupet e tjera.

Shkencëtarët i publikuan gjetjet e tyre në revistën Current Biology.

"Rezultatet tona sugjerojnë se ushtrimet në kohën e duhur mund ta përmirësojë kujtesën afatgjatë dhe ta nxjerrin në pah potencialin e ushtrimeve si një ndërhyrje në mjediset arsimore dhe klinike", shkruajnë hulumtuesit në punimin e tyre të sapopublikuar.

Nuk është e qartë se si e përforcon ushtrimi kujtesën, por studimet e mëparshme e kanë theksuar rëndësinë e komponimeve organike të quajtura katekolamine, si dopamina dhe norepinefrina, në konsolidimin e kujtesës dhe ruajtjen e informacionit. Ushtrimet kanë treguar se e rrisin prodhimin e katekolamineve në trup.

Shkencëtarët shpresojnë se studimi i mëtejshëm do të shpjegojë se pse ata që mësojnë duhet të presin katër orë për t’i fituar përparësitë e ushtrimeve për përforcimin e kujtesës.

© KOHA. Të gjitha të drejtat janë të rezervuara.

Komentet

Shto koment

Të ngjashme