Lifestyle

Konsumi i rregullt i çajit liron arteriet dhe ul rrezikun e sëmundjeve kardiovaskulare

Descriptive Text

Studimi i ri ka treguar se konsumi i rregullt i çajit mund të mbrojë nga ngurtësimi arterial në zemër - një gjendje kjo që është e lidhur me jetëgjatësi të shkurtuar dhe rrezik më të lartë të sëmundjeve kardiovaskulare.

Studimi, i cili i monitoroi konsumuesit e rregullt dhe jo të rregullt të çajit në Kinë, zbuloi se ata që kanë pirë çaj rregullisht për gjashtë vjet ose më shumë kishin nivele më të ulëta të trashjes së murit arterial dhe humbje të elasticitetit, dhe i përforcon provat në rritje se konsumi i çajit ka gjasa të bëjë gjëra të mrekullueshme për shëndetin e zemrës tuaj, transmeton koha.net.

Ekipi i mjekëve, i udhëhequr nga kardiologu Qing-fei Lin nga Spitali Komunal Wuyishan në Kinë, i anketoi 5,006 meshkuj dhe femra të moshës 40 deri 75 vjeçare në provincën lokale Fujian. Nga ata, 1,564 (31.2 përqind) thanë se ishin konsumues të rregullt të çajit - të definuar në studim si konsumues të çajit një herë ose më shumë në javë për të paktën 12 muaj.

Subjektet ishin ndarë në katër nëngrupe: ata që kishin konsumuar çaj zakonisht për më shumë se 10 vjet; konsumuesit e rregullt të çajit me 6-10 vjet përvojë; konsumuesit e rregullt për 1-5 vjet; dhe konsumuesit jo të rregullt.

Hulumtuesit e matën shpejtësinë valore të pulsit në kyçin e këmbës (ba-PWV) të subjekteve të tyre për ta përcaktuar ngurtësisë arteriale si në aortë ashtu edhe në arterie periferike të zemrës. Pas përshtatjes për faktorë të ndryshëm të jetesës, ata zbuluan se derisa kohëzgjatja dhe sasia ditore e konsumit të çajit rregullisht ishte në rritje, mesatarja e ba-PWV ishte në rënie, që nënkupton ngurtësi më të ulët arteriale.

E karakterizuar me trashje të murit arterial dhe humbje të elasticitetit në të dy elementet strukturore dhe qelizore të zemrës, ngurtësia arteriale është treguar të jetë një parashikues i vdekshmërisë së përgjithshme dhe sëmundjeve kardiovaskulare në të ardhmen, duke përfshirë edhe dështimin e zemrës dhe goditjen në tru. Këshillohet që arteriet tuaja të jenë sa më fleksibile që të jetë e mundur për ta lejuar qarkullimin më të lehtë të gjakut kështu që zemra juaj nuk ka nevojë të punojë aq shumë.

"Konsumi i rregullt i çajit mund të ketë efekt mbrojtës kundrejt ngurtësisë arteriale, sidomos për subjektet që kanë konsumuar zakonisht çaj për më shumë se gjashtë vjet dhe më shumë se 10 gramë në ditë," konkludon ekipi në Journal of the American College of Nutrition.

Hulumtuesit dyshojnë se efekti mbrojtës është për shkak të ndonjë reaksioni kimik që ndodh në qelizat endoteliale brenda arterieve tona, kur vijnë në kontakt me kimikatet e quajtura katekine - një lloj i flavonoideve - që gjenden me bollëk në çaj (çajin e gjelbër në veçanti).

"Flavonoidet në çaj janë të dobishme për t'i relaksuar enët e gjakut," deklaroi për Quartz, Stephen Devries, kardiolog preventiv në Universitetin Northwestern. "Katekinet e lirojnë oksidin e azotit dhe bëjnë që arteriet të jenë më të përshtatshme."

Derisa studimi, i cili është publikuar në Journal of the American College of Nutrition, është i kufizuar nga fakti se mbështetet në pjesëmarrësit vetë-raportues që të jenë të sinqertë në lidhje me historinë e tyre të konsumit çaj, dhe fokusohet vetëm në pjesëmarrësit që jetojnë në një rajon të caktuar të Kinës, rezultatet e pasqyrojnë atë që është gjetur në studimet e mëparshme nga e gjithë bota.

"Ajo që mund të ketë qenë një përfitim në një popullatë mund të mos ketë qenë në një popullsi tjetër," tha për Shanker kardiologia Angela Taylor nga Universiteti i Virginia Health System. "Por studimet me çaj janë bërë në pothuajse çdo sfond etnik që mund ta mendoni."

Qysh në fillim të vitit 2014, hulumtuesit tajvanezë raportuan në PLOS ONE se pirja e një filxhani të çajit në ditë për një vit ose më shumë ka të ngjarë ta reduktojë ngurtësinë arteriale, dhe një studim i vitit 2013 nga American Journal of Clinical Nutrition arriti në përfundimin se konsumi i rregullt i çajit mund ta ulë tuaj rrezikun e goditjes në tru. Një studim i veçantë në vitin 2007 nga hulumtuesit amerikanë zbuloi se katekinet e bazuara në çaj mund ta përmirësojnë strukturën kardiake brenda vetëm 2 orëve.

Kohët e fundit, një meta-analizë e 24 studimeve mbi 856,206 individë e publikuar në European Journal of Epidemiology vitin e kaluar konkludoi: "konsumi i rritur i çajit është i lidhur me rrezikun e reduktuar të sëmundjeve koronare të zemrës, vdekjen kardiake, goditjen në tru, infarktin cerebral dhe hemorragjinë intracerebrale, si edhe vdekshmërinë totale".

Ka ende shumë gjëra që nuk dimë rreth asaj se si lloje të ndryshme të flavonoideve në gjërat që hamë dhe pimë janë duke ndikuar në shëndetin tonë, por hulumtimi është duke treguar se një apo dy filxhana çaj në javë janë goxha të mirë nëse doni të bëni diçka të shëndetshme për zemrën tuaj.