Lifestyle

Me akupunkturë dhe hipnozë kundër pirjes së duhanit

Descriptive Text

Akupunktura dhe hipnoza mund të jenë të suksesshme te personat që dëshirojnë të lënë duhanin, tregon studimi kanadez, i publikuar në Universitetin Mcgill në Montreal.

Ekipi kanadez deri te ky përfundim ka ardhur duke analizuar rezultatet e 14 hulumtimeve ndërkombëtare, përcjell Reuters.

Udhëheqësi i studimit, Mehdi Tahiri, thekson që ai dhe kolegët e tij ende si mjet të parë për heqjen dorë nga pirja e duhanit këshillojnë trajtimin konvencional, i cili përbëhet nga terapia e zëvendësimit të nikotinës, konsumimit të disa ilaçeve dhe psikoterapisë biheviorale, transmeton koha.net.

Megjithatë, akupunktura dhe hipnoza mund të jenë mënyra po aq të mira që njeriu të lirohet nga cigaret, para së gjithash për ata që për shkak të ndonjë arsyeje nuk dëshirojnë terapinë me ilaçe, thekson Tahiri.

Një studim nga viti 2008 ka treguar që pas disa seancave me akupunkturë laserike 55 për qind nga 258 pjesëmarrës në afatin prej gjashtë muajsh kanë lënë duhanin, ndërsa në grupin kontrollues kanë pasur sukses vetëm katër për qind e të testuarve.

Megjithatë, ka pasur edhe hulumtime në të cilat suksesi i akupunkturës dhe heqjes dorë nga duhanpirja ka përbërë vetëm nëntë për qind.

Te aplikimi i hipnozës, suksesi i terapisë në disa analiza të hulumtimeve ka lëvizur brenda 20 dhe 45 për qind, ndërsa në disa tjera ishte shumë i vogël.

Sidoqoftë, janë ende të hapura çështjet se sa seanca të akupunkturës dhe hipnozës janë të nevojshme për t’u lënë duhani, si dhe cilat teknika të këtyre terapive alternative është më së miri të aplikohen për këtë qëllim.