Lifestyle

Vaj lini apo peshku, cili preferohet më shumë për shëndetin

Yndyrat omega 3 që gjenden te peshqit janë ato që kanë ndikimin më të madh në uljen e rrezikut kardiovaskular duke ndikuar ndjeshëm në uljen e inflamacionit, uljen e treglicerideve, reduktimin e formimit të trombeve dhe stabilizimin e ritmit të zemrës.

Përmbajtja e ulët e peshqve në yndyra të ngopura, i bën ato një zëvendësues të shkëlqyer të mishit të kuq në trajtimin e sëmundjeve kardiake dhe hiperkolesterolemise.

Konsumi i dy-tri racioneve peshk të yndyrshëm në javë lidhet me përmirësim të ndjeshëm të shëndetit të enëve të gjakut dhe profilit lipidemik. Një racion është i barabartë me 200 gramë. Peshqit me yndyrë të dobishme janë sardelet, skumbri, acuget dhe salmoni.

Vaji i linit është gjithashtu i pasur në omega 3, por të formës ALA, e cila duhet të konvertohet në EPA dhe DHA përmes disa enzimave të posaçme në trupin e njeriut.

Personat që kanë pamjaftueshmëri të kësaj enzime nuk përfitojnë ndjeshëm nga marrja e vajit të linit. Gjithsesi, vaji i linit përmban polifenole të cilat kanë efekte të dobishme kundër kancerit dhe sëmundjeve të zemrës.