Lifestyle

Shikimi i tepërt i TV-së dhe aktiviteti i pamjaftueshëm fizik mund të jenë të këqija për trurin

Thonë se shikimi i tepërt i televizorit do ta kalbë trurin tuaj. Një studim i ri sugjeron se kjo mund të jetë e vërtetë.

Hulumtuesit në Universitetin e Kalifornisë në San Francisko kanë zbuluar në një studim afatgjatë, të publikuar në Journal of the American Medical Association, se shikimi i tri orë ose më shumë televizor në ditë në moshën e hershme të rritur ishte i lidhur me funksionin më të dobët kognitiv në moshën e mesme. Dhe personat të cilët ushtruan më pak, përveç shikimit të tepërt të televizorit, kaluan edhe më keq në testet kognitive, raportuan studiuesit.

Aktiviteti fizik është i rëndësishëm për ruajtjen e funksionit kognitiv dhe shëndetit të trurit, kështu që studiuesit nuk ishin të befasuar tërësisht nga rezultatet e studimit, transmeton koha.net.

Popullariteti në rritje i dëshirës për të shikuar seri të tëra televizive apo grupe të filmave i ka bërë hulumtuesit të interesohen në lidhje me rezultatet e gjithë asaj kohe para TV në trurin e 25-vjeçarëve pas disa dekadave.

"Pyetja është, çfarë do të thotë në qoftë se jeni 50-vjeçar, dhe i keni këto ndryshime të vogla?" tha dr. Kristine Yaffe, psikiatre në Universitetin e Kalifornisë në San Francisko dhe autorja kryesore e studimit, për NPR. "A do të thotë se ju jeni në një rrugë drejt ndryshimeve të mëdha në të ardhmen po kjo nuk e bën ndonjë ndryshim? Nuk mendoj se e dimë vërtet përgjigjen për këtë."

Kërkuesit i analizuan të dhënat nga 3,247 të rritur të cilët iu bashkuan studimit Coronary Artery Risk Development in Young Adults (Zhvillimi i Rrezikut të Arteries Koronare tek të Rinjtë) në vitin 1985, kur ata ishin në mes të moshës 18 dhe 30-vjeçare. Mosha mesatare e pjesëmarrësve ishte 25.1, 56.5 për qind ishin femra, 54.5 për qind ishin të bardhë, dhe 92.9 për qind kishin të paktën arsimim të shkollës së mesme. Çdo pjesëmarrës është vlerësuar më shumë se tri herë në mes të fillimit të studimit dhe vitit 2011, kur ai përfundoi.

Duke e përdorur Digit Symbol Substitution Test, testin Stroop dhe Rey Auditory Verbal Learning Test, studiuesit zbuluan se personat që shikuan tri ose më shumë orë televizor në ditë - 10.9 për qind e pjesëmarrësve - u ndërlidhën me rënie të performancës kognitive. 16.3 për qind e pjesëmarrësve me aktivitet të ulët fizik gjithashtu kishin rezultate më të ulëta në teste.

Kombinimi i aktivitetit të ulët fizik dhe shikimit të tepërt të televizorit, gjë që u aplikua në 3.3 për qind të pjesëmarrësve, i dyfishoi shanset që personat të tregojnë funksion të dobët kognitiv në teste.

Mbetet ende e paqartë nëse televizori është shkaku apo efekti i të pasurit një funksion më të ulët kognitiv, theksuan disa studiues, pasi që studiuesit nuk e matën funksionin për pjesëmarrësit në fillim të studimit, dhe efektet e stilit të ulur të jetesës në shëndet janë larg nga të kuptuarit.

Shikimi i kufizuar i televizorit dhe aktivitetet që përfshijnë ekrane - studimi nuk e konsideron përdorimin e tabletave dhe smartfonëve për shkak të afatit kohor të tij - në fakt mund të jenë të dobishme, por studiuesit thanë se janë të pasigurt.

"Ka shumë më shumë mundësi për t’u ulur tani sa që kjo është edhe më shumë shqetësuese," tha Tina Hoang, studiuese në Veterans Affairs Medical Center në San Francisko, për USA Today. "Nuk ka pasur shumë hulumtime që tregojnë se çfarë do të thonë këto ndryshime të hershme kognitive."
 

Legjenda: Meqë preferenca për të shikuar programe sipas kërkesës është në rritje, studiuesit theksojnë se më shumë ekrane po përdoren për më shumë aktivitete tani sesa gjatë studimit, kështu që jo e gjithë koha para ekranit mund të jetë e krijuar si e barabartë.