Lifestyle

Më shumë akne për plakje më të ngadalshme?

Njerëzit të cilët përjetojnë më shumë paraqitje të akneve gjatë adoleshencës mund të plaken më ngadalë, sugjeron një studim i kryer nga shkencëtarët në King’s College të Londrës.

Studimi, i publikuar në Journal of Investigative Dermatology ditë më parë, i lidh telomeret më të gjata të cilat gjenden tek individët me nivele më të larta të akneve me një proces të ngadaltë të plakjes më vonë në jetë, transmeton koha.net.

Telomeret janë nukleotide mbrojtëse që gjenden në fund të kromozomeve në qelizat e një individi. Grimcat gradualisht shpërbëhen derisa qelizat vazhdimisht replikohen me kalimin e kohës.

Dr. Simone Ribero, autori kryesor i studimit, thotë se dermatologët kanë spekuluar prej kohësh se nivelet e larta të akneve e theksojnë procesin më të ngadalshëm të plakjes. Megjithatë, ai thekson se gjetjet e tij të fundit janë shumë bindëse.

"Për shumë vite dermatologët pohojnë se lëkura e personave me akne duket se plaket më ngadalë se tek ata që nuk kanë përjetuar akne në jetën e tyre," shpjegoi ai në një deklaratë për shtyp. "Përderisa kjo është vërejtur në mjedise klinike, shkaku i kësaj ishte i paqartë më parë."

Gjatë studimit, studiuesit i matën gjatësitë e telomereve që gjenden në qelizat e bardha të gjakut të 1.205 binjakëve. Pas një analize statistikore të përshtatur për moshën, peshën, dhe lartësinë, shkencëtarët vunë re se qelizat e bardha të gjakut me gjatësi më të gjatë të telomereve janë më të mbrojtura nga përkeqësimi i qelizave gjë që përfundimisht çon në shfaqjen e rrudhave dhe shenjave të tjera të moshës.

"Gjetjet tona sugjerojnë se shkaku mund të lidhet me gjatësinë e telomereve e cila duket të jetë e ndryshme në personat me akne dhe do të thotë se qelizat e tyre mund të mbrohen nga plakja", shtoi dr. Ribero. "Duke i shikuar biopsitë e lëkurës, ne ishim në gjendje të fillojmë t’i kuptojmë shprehjet e gjeneve të lidhura me këtë."

Autori kryesor i studimit e pranon se nevojitet punë e mëtejshme për të përcaktuar nëse rrugët e caktuara të gjeneve e luajnë një rol më të madh.