Lifestyle

Konservatorët dhe liberalët: Sa më shumë që dinë rreth çështjeve kontroverse, aq më pak pajtohen

Hulumtimi i ri tregon se orientimet politike dhe fetare janë të lidhura ngushtë me pikëpamjet e polarizuara të konsensusit shkencor (të mos themi “të së vërtetës”).

Por edhe kjo histori e ka zhvillimin e saj: sa më i edukuar që është një person në kuptimin shkencor dhe letrar, pikëpamjet e tij janë më të polarizuara. Ky konstatim konfuz është prezantuar në punimin e publikuar në revistën Proceedings of the National Academy of Sciences, punim ky i kryer nga Caitlin Drummond dhe Baruch Fischoff nga Universiteti Carnegie Mellon, transmeton koha.net.

Shkencëtarët i studiuan të dhënat e pyetësorit të përgjithshëm social (eng. General Social Survey) për qëndrimet e amerikanëve rreth gjashtë çështjeve kontroverse: evolucioni njerëzor, Big Bangu, hulumtimi i qelizave burimore, ndryshimet antropogjene të klimës, ushqimet e modifikuara gjenetikisht dhe nanoteknologjia. Në katër temat e para të anketuarit ishin të polarizuar në mënyrë të konsiderueshme, në dy të fundit pak më pak.

Të anketuarit të cilët u identifikuan si konservatorë nga aspekti politik dhe fetar me probabilitet më të madh i kundërshtuan konsensuset shkencore mbi këto tema të polarizuara apo tema rreth të cilave opinionet e njerëzve janë shumë të ndara; ata që u identifikuan si liberalë në masë më të madhe i pranojnë konsensuset e shkencës.

Pjesa konfuze e rezultateve, tha Drummond, qëndron në faktin se "individët me arsim dhe njohuri më të larta shkencore janë më të polarizuar". Kur bëhet fjalë për tema si ndryshimi klimaterik dhe evolucioni, konservatorët me më shumë njohuri kanë më shumë të ngjarë ta kundërshtojnë konsensusin shkencor dhe liberalët më shumë do ta pranojnë atë.

Për temat e tjera, si ushqimet e modifikuara gjenetikisht, të cilat janë kontroverse, por "nuk janë bërë pjesë e konflikteve të mëdha sociale të cilat tashmë e prekin shoqërinë amerikane", Drummond dhe Fischoff nuk e gjetën ndonjë lidhje ndërmjet arsimit dhe polarizimit.

Si të shpjegohet kjo? Një model të cilin autorët e propozojnë është "të menduarit e motivuar"; ky model pohon se "individët me më shumë njohuri kanë më shumë aftësi t’i interpretojnë provat për t’i mbështetur përfundimet e tyre të preferuara". Autorët spekulojnë se "njerëzit me arsim të lartë kanë më shumë të ngjarë të dinë se kur komunitetet e tyre politike dhe fetare e kanë zgjedhur anën, dhe për këtë arsye ata dinë edhe çfarë duhet të mendojnë (ose thonë) në mënyrë që ta ruajnë identitetin e tyre".

Kjo, sigurisht, e ka një ndikim të ndjeshëm në përpjekjet komunikuese në shkencë. Drummond argumenton se "komunikimi në shkencë në tema të polarizuara duhet ta marrë parasysh jo vetëm shkencën, por edhe kontekstin dhe implikimet e saj për atë që ka rëndësi për njerëzit, siç janë identitetet e tyre politike dhe fetare". Megjithëse ky është një qëndrim pragmatik, ai mund ta lërë një shije të hidhur tek ata që mendojnë se shkenca duhet të qëndrojë ose të bjerë në varësi të meritave të saj epistemologjike.

Një gjë pozitive që është treguar në këtë hulumtim është se: besimi më i lartë në komunitetin shkencor është në lidhje me një pajtueshmëri me konsensusin shkencor. Ndoshta shkencëtarët dhe apologjetët e shkencës duhet të punojnë për të ndërtuar besim të tillë në të dy anët e hapësirës.