Lifestyle

Sistemi i mesazheve qelizore mund ta sjellë një mënyrë të re për t’i trajtuar sëmundjet

Ekzistojnë rreth 37 trilionë qeliza në trupin e njeriut dhe 100 herë më shumë vezikula ekstraqelizore - qeska të sekretuara nga qelizat që përmbajnë proteina dhe molekula të ARN-së – për të cilat hulumtuesit thonë se mund të ndihmojnë në trajtimin e sëmundjeve.

Hulumtuesit e Universitetit të Harvardit e kanë zbuluar një mekanizëm të mesazheve qelizore, i cili mund ta ofrojë një mënyrë të re për ta livruar terapinë në indet e sëmura, transmeton koha.net.

Hulumtuesit zbuluan se një lloj i vezikulës ekstraqelizore, ose EV, e mundëson sinjalizimin pa kontakt të drejtpërdrejtë midis qelizave. EV-ja, një qeskë e sekretuar nga qelizat që përmbajnë proteina dhe molekulat e ARN-së, të njohura si ARMM, gjithashtu i bartë receptorët që e lejojnë sinjalizimin pa kontakt.

"EV-të janë si mesazhe në një shishe në mes të qelizave", tha në një njoftim për shtyp, Quan Lu, profesor i asociuar i gjenetikës mjedisore dhe patofiziologjisë në Harvard T.H.Chan School of Public Health. "Ne mendojmë se brenda disa viteve të ardhshme mund t’i shkëmbejmë molekulat endogjene në ARMM për ngarkesa terapeutike - si antitrupat - dhe t’i inxhinierojmë ARMM-të për t'u futur në një ind të veçantë".

EV-të qarkullojnë në gjak dhe në lëngje të tjera trupore dhe janë të përfshira në koagulimin dhe reagimin imunitar, por ato gjithashtu mund të përdoren për ta përhapur kancerin ose HIV-in ose Ebolën.

Studimi, i publikuar tani në Nature Communications, zbuloi se ARMM-të përmbajnë molekula të përdorura për sinjalizimin NOTCH, një lloj komunikimi ndërqelizor, i cili zakonisht e përfshin kontaktin qelizë-më-qelizë. Receptorët e NOTCH janë proteina të membranës së plazmës të përfshira në zhvillimin embrional, funksionin e qelizave staminale dhe homeostazën e indeve.

Hulumtuesit zbuluan se ARMM-të janë të afta ta bëjnë sinjalizimin e receptorit NOTCH në distancë.

"Hulumtimi ynë për ARMM-të ka potencial të jashtëzakonshëm për terapi dhe shëndet publik", tha Lu. "Sigurisht do të kalojnë 10 vjet para se t’i shohim këto metoda të përdorura në një mjedis klinik, por rruga përpara është e qartë".