Lifestyle

Pesë simptomat e diabetit, që ndoshta nuk i keni ditur

Nëse keni menduar se simptomat e diabetit janë të lehta për t’u kuptuar dhe të njëjta për çdo person, gaboni rëndë.

Etja, nevoja për tualet apo mpirja e duarve janë vetëm disa sinjale që trupi jep, të cilat me siguri i keni mësuar në shkollë dhe mjaftoheni me aq.

Le ta nisim me lëkurën. Njollat e errëta janë një sinjal për rritjen e nivelit të sheqerit në gjak. Niveli i lartë i insulinës promovon rritjen e qelizave të lëkurës dhe melaninës, prandaj edhe testet me shumë gjasa do të zbulojnë nivele më të larta se zakonisht të sheqerit në gjak.

Kalojmë te shikimi. Kur jeni me diabet, mund të vëreni përmirësim apo përkeqësim të pamjes. Ju nuk do ta dini se cili rast jeni, kështu që thjesht bëni një vizitë për të kuptuar ç’po ndodh, në rast se përjetoni diçka të tillë.

Vazhdojmë me kruarjen! Kujdes, mos qeshni! Nuk po themi se keni zgjebe. Diabeti çrregullon qarkullimin e gjakut, që mund të shkaktojë kruarje. Disa pacientë kanë kruarje të madhe, kështu që duhet të keni kujdes, nëse kuptoni se po ju ndodh.

Dëgjimi është i katërti sinjal. Nëse filloni ta kuptoni se nuk dëgjoni mirë, bëni një test të sheqerit në gjak. Dobësimi i të dëgjuarit është tregues i hershëm i diabetit.

Dhe, e fundit, gërhitja e rëndë! Është vërtetuar se pacientët me diabet të tipit 2 e kanë këtë simptomë, duke shtuar madje edhe përgjumje gjatë ditës. Një vizitë duhet, miq!

Disa këshilla për personat e prekur nga diabeti

Personave me diabet apo prediabet ju këshillohet aktivitet fizik nëpërmjet ushtrimit të sporteve të ndryshme. Ata që nuk mund të ushtrojnë sport apo moshat e vjetra, rekomandohet ecje prej të paktën 45 minuta, 3-4 herë në javë.

Ndryshimi i mënyrës së ushqimit, duke kufizuar ushqimet me përmbajtje të lartë të yndyrave shtazore, me përmbajtje të lartë të kolesterolit, kufizimin e sheqernave, janë disa nga masat e tjera parandaluese.

Gjithashtu duhet të kemi parasysh stimulimin e përdorimit në sasi më të mëdha të perimeve të gatuara pa yndyrë, frutave, 2-3 të tilla në ditë, si dhe të kujdesemi me përdorimin e produkteve shtazore në masa të kufizuara dhe pa yndyrë (mishi, qumështi, etj).

Alkooli dhe lëngjet me përmbajtje të lartë të sheqerit, duhet të konsumohen sa më rrallë.