Disponimet mund të jenë infektuese, por jo edhe depresioni

Disponimet mund të jenë infektuese, por jo edhe depresioni

29 tetor 2017 14:36

Hulumtimi i ri tregon se si disponimi përhapet në grupet në rrjetet sociale. Rezultatet tregojnë se disponimi vërtet mund të transmetohet, ndërsa depresioni nuk mundet. Ky është një zbulim interesant duke e pasur parasysh prevalencën në rritje të depresionit tek adoleshentët.

Të dhënat e Organizatës Botërore të Shëndetësisë (WHO) tregojnë se depresioni i prek rreth 350 milionë persona në mbarë botën. Fakti që depresioni tek adoleshentë po rritet veçanërisht është një arsye serioze për shqetësim, transmeton Koha.net. Një studim i vitit të kaluar zbuloi se raportimet e episodeve të mëdha depresive në mesin e të rinjve u rritën me 37 për qind mes viteve 2005 dhe 2014.

Ky studim i ri, i udhëhequr nga hulumtuesit nga Universiteti i Warwick, i publikuar në revistën Royal Society Open Science, shikoi se si ndikon disponimi i miqve të tyre tek individët, si përhapet disponimi më gjerë në grup, dhe a mund të përhapet edhe depresioni. Hulumtimi i tyre tregoi se, edhe pse simptomat e depresionit - si ndjenja e pafuqisë ose humbja e interesimit - mund të jenë shoqërisht infektuese, ndikimi i disponimit tek miqtë nuk është i mjaftueshëm që edhe vetë “të infektohen” nga depresioni.

Ekipi i analizoi të dhënat nga studimi Kombëtar afatgjatë i shëndetit nga adoleshenca deri në moshën e rritur (eng. National Longitudinal Study of Adolescent to Adult Health) dhe përdori modele matematikore duke zbuluar se sa më shumë nga miqtë tuaj vuajnë nga disponimi i keq, aq më e mundur është që edhe ju do të jeni njëjtë, dhe do të jetë më e vështirë për ta përmirësuar situatën. Efekti i kundërt është gjetur tek njerëzit që e kanë një rreth shoqëror më pozitiv.

“Studimet e mëparshme kanë treguar se mbështetja sociale dhe shoqëritë e reja mund të ndikojnë pozitivisht në çrregullimet e disponimit tek adoleshentët, por eksperimentet e fundit kanë treguar se gjendja emocionale e individi mund të ndikohet nga ekspozimi ndaj shprehjeve emocionale të kontaktit social”, tha udhëheqësi i studimeve Rob Eyre në një deklaratë.

“Natyrisht, do të ishte e dobishme që ta kemi një kuptim më të mirë të asaj se si disponimi i adoleshentëve preket nga disponimi i miqve të tyre në intervenimet informative të cilat merren me depresionin tek adoleshentët”, përcjell Koha.net.

Edhe pse studimi i tyre ka treguar se disponimet e këqija të miqve nuk janë të mjaftueshme për ta shtyrë dikë në depresion, studiuesit duan të theksojnë se është po aq e rëndësishme të studiohen dhe mbështeten njerëzit që tregojnë simptoma të depresionit i cili ende nuk është në nivel të lartë.

“Nivelet e ulëta të simptomave depresive tek adoleshentët janë problem me rëndësi të madhe aktuale, sepse ato në të vërtetë janë shumë të shpeshta, e zvogëlojnë cilësinë e jetesës dhe çojnë në një rrezik më të madh të depresionit më vonë në jetë, në krahasim me situatën kur simptoma nuk ka fare'“, tha bashkautorja Frances Griffiths.

“Rezultatet që i gjetëm mund t’i informojnë agjencitë e shëndetit publik dhe të dizajnojnë intervenime kundër depresionit tek adoleshentët”.

© KOHA

Komentet

Shto koment

Të ngjashme