Lifestyle

Kodeina nuk është e sigurt për fëmijët, paralajmërojnë pediatrit

Kodeina është e pasigurt për fëmijët dhe nuk duhet t'u jepet më atyre, paralajmëron një raport i ri nga grupi drejtues i pediatërve.

Kodeina është përdorur për t’i trajtuar dhimbjet dhe kollitjet e fëmijëve për dekada të tëra "sepse menduam se ajo ishte më e sigurt se narkotikët e tjerë," tha autori i raportit dr. Joseph Tobias.

Por mjekët kanë mësuar se mënyra se si përpunohet kodeina në trup është shumë e rrezikshme për fëmijët dhe mund të rezultojë në vdekje, thotë Tobias, shef i anesteziologjisë dhe mjekësisë së dhimbjes për Spitalin e Fëmijëve në Columbus të Ohio.

Kodeina shndërrohet nga mëlçia në morfinë, por dallimet gjenetike mes njerëzve mund ta nxisin mëlçinë që të krijojë tepër morfinë tek disa persona dhe shumë pak tek të tjerët, shpjegoi ai, transmeton koha.net.

"Tani, krejt papritur, po mësojmë se për shkak të këtij variacioni gjenetik ky është një ilaç shumë i rrezikshëm", shtoi Tobias.

Fëmijët të cilët me shpejtësi e metabolizojnë kodeinën në një mbidozë të morfinës mund të përjetojnë norma shumë të ngadalësuara të frymëmarrjes, dhe mund edhe të ndalojnë së marri frymë dhe të vdesin, tha ai.

Shqetësimet në lidhje me kodeinën janë në rritje për vite, por ilaçi është ende në dispozicion pa recetë në formulat për kollë në barnatoret ambulantore në 28 shtete dhe në Distriktin Columbia, thuhet në raportin e Akademisë Amerikane të Pediatrisë (AAP).

Kodeina gjithashtu zakonisht përshkruhet për fëmijët pas procedurave kirurgjikale si heqja e bajameve dhe adenoideve, shtoi raporti.

Më shumë se 800.000 pacientëve nën moshën 11-vjeçare u është përshkruar kodeina në mes të viteve 2007 dhe 2011, sipas një studimi të cituar në raport.

Mjekët për veshë/hundë/fyt më së shpeshti përshkruajnë përzierje të lëngut kodeinë/acetaminofen, ndërsa ata pasohen nga dentistët, pediatrit dhe mjekët familjarë, konstatoi raporti.

Raporti është publikuar online më 19 shtator në revistën Pediatrics.

FDA-ja amerikane e vendosi nivelin më të lartë të paralajmërimit për medikamente në kodeinën në vitin 2013, duke i paralajmëruar mjekët që ta shmangin dhënien e ilaçit për fëmijët që i janë nënshtruar operacionit për heqje të bajameve apo adenoideve.

Duke pasur parasysh reagimin e ngadalshëm ndaj këtij kërcënimi, AAP vendosi ta bëjë një "shtytje më të fortë" kundër përdorimit të kodeinës tek fëmijët, shpjegoi Tobias.

Dr. Robert Glatter, mjek i emergjencës nga Lenox Hill Hospital në New York City, tha se kodeina shkakton relativisht pak vdekje, por nuk duhet të përdoret për shkak se është shumë e paparashikueshme.

Raporti i AAP i regjistroi të paktën tre vdekje pediatrike nga kodeina në vitin 2013, duke përfshirë edhe një 10-vjeçar, i cili i ishte nënshtruar kirurgjisë ortopedike, një 4-vjeçar me heqje të bajameve, dhe fëmijën e tretë që kishte marrë kodeinë në një supresant për kollë.

Një kërkim i të dhënave të FDA zbuloi se 10 vdekje të fëmijëve dhe tre raste të depresionit të rëndë respirator i atribuohen kodeinës mes viteve 1969 dhe 2012, thuhet në raport.

"Derisa numri i vdekjeve dhe rasteve të depresionit respiratorik janë të vogla në krahasim me numrin e dozave të administruara gjatë shumë dekadave të përdorimit, është e rëndësishme që ne ende ta tërheqim vëmendjen në faktin se kodeina nuk është një ilaç ideal për ta trajtuar dhimbjen," tha Glatter.

Disa spitale tashmë kanë reaguar duke e larguar kodeinën si një opsion për lehtësim të dhimbjes.

"Në sistemin shëndetësor ku unë punoj, përdorimi i kodeinës është eliminuar në thelb për shqetësime të njëjta të sigurisë që janë përmendur këtu," tha dr. Michael Grosso, drejtor mjekësor në Northwell Health's Huntington Hospital në Huntington, N.Y.

Për fat të keq, ekzistojnë disa alternativa të tjera të sigurta për fëmijët që janë shumë të efektshme. Mjekët kryesisht mbështeten në acetaminofen, ibuprofen ose NSAID-e si aspirina për t’i trajtuar dhimbjet e fëmijëve këto ditë, tha Tobias.

Për shkak se këto ilaçe pa receta janë më pak efektive se narkotikët, mjekët u bëjnë thirrje prindërve që ta fillojnë dozimin e fëmijëve të tyre para çdo ndjesie të dhimbjes pas operacionit, dhe t'u japin atyre çdo gjashtë orë për 48 orët e para pas operacionit, tha Tobias.

Mjekët mund ta përdorin oksikodonin, fentanilin ose Percocetin (oksikodonin dhe acetaminofenin) për të kontrolluar dhimbje të forta, edhe pse këto barna duhet të jenë të rezervuara për raste ekstreme, theksoi dr. Amy Sniderman, pediatre në Klinikën Cleveland.

"Ato janë pak më të parashikueshme", theksoi Sniderman. "Ju mund të filloni me një dozë të vogël dhe të shihni se si fëmija reagon ndaj saj, dhe të ndiheni rehat që mund ta parashikoni se si fëmija do të reagojë."

Megjithatë, është e rrallë që fëmijët do të kenë nevojë për kësi ilaçe më të fuqishme kundër dhimbjes, tha Sniderman.

"Në pediatrinë e përgjithshme ditore, nuk ka asnjë arsye që t’i përshkruaj këto rregullisht," shtoi ajo.