Lifestyle

Kafja dhe çaji mund të ndihmojnë në parandalimin e sëmundjes së mëlçisë

Një studim i ri ka konstatuar se pirja e vetëm disa filxhanëve me kafe ose çaj në ditë mund të ndihmojë në parandalimin e forcimit të mëlçisë dhe sëmundjes kronike të mëlçisë.

Sëmundja kronike e mëlçisë, e lidhur me mënyrën e pashëndetshme të jetesës, është shkaku i 12-të kryesor i vdekjeve në mbarë botën. Vdekshmëria e lidhur me mëlçinë është e lidhur me zhvillimin e cirrozës, fazës përfundimtare të fibrozës progresive, formimi i mbresave në vragave nga inflamacioni kronik i lidhur shpesh me alkoolizmin, transmeton koha.net.

Studimet kanë treguar gjithashtu se një mënyrë më e shëndetshme jetese mund të ndihmojë në parandalimin ose reduktimin e sëmundjes së mëlçisë.

"Gjatë dekadave të fundit ne ecëm gradualisht drejt shprehive më të pashëndetshme, duke përfshirë një mënyrë jetese të qëndrimit ulur, zvogëlimin e aktivitetit fizik dhe konsumimin e ‘dietës së lumtur’", tha dr. Louise J.M. Alferink, nga Departamenti i Gastroenterologjisë dhe Hepatologjisë, Qendra Mjekësore e Universitetit MC Erasmus, në një deklaratë për shtyp.

"Kjo dietë e lumtur, e njohur edhe si dieta perëndimore, zakonisht është e pasur me ushqime jo të shëndetshme, përfshirë ushqimet e përpunuara që nuk kanë lëndë ushqyese dhe sheqernat artificiale. Kjo ka çuar jo vetëm në një epidemi të obesitetit, por edhe në një rritje të shpejtë të prevalencës së sëmundjes së mëlçisë së yndyrshme joalkoolike [NAFLD], e cila ndodh për shkak të akumulimit të madh të yndyrës në mëlçi dhe i ngjan sëmundjes së mëlçisë alkoolike tek njerëzit të cilët nuk i kalojnë dy pije alkool në ditë. Në këtë kontekst, ekzaminimi i strategjive të arritshme dhe të lira të jetesës të cilat kanë përfitime potenciale shëndetësore, siç është konsumimi i kafesë dhe i çajit, është një qasje e besueshme për të gjetur mënyra për ta ndalur rritjen e shpejtë të sëmundjes së mëlçisë në vendet e zhvilluara".

Hulumtuesit i analizuan të dhënat për 2.424 pjesëmarrës të moshave 45 ose më të vjetër që jetonin në një periferi të Roterdamit. Të gjithë pjesëmarrësit iu nënshtruan një testimi të gjerë shëndetësor dhe e plotësuan pyetësorin 389 pikash të quajtur Food Frequency Questionnaire.

Konsumi i kafesë u analizua dhe u nda në tri kategori; fare, e moderuar më pak se tre filxhanë në ditë dhe e shpeshtë me tre ose më shumë filxhanë në ditë. Konsumi i çajit u kategorizua më tej në bimor, i gjelbër ose i zi, dhe në asnjë ose çfarëdo konsumi.

Hulumtuesit zbuluan se konsumi i shpeshtë i kafesë ishte i lidhur dukshëm me gjasat më të ulëta të vlerave të larta të ngurtësimit të mëlçisë, gjë që nënkupton më pak mbresa të mëlçisë. Konsumi i shpeshtë i kafesë dhe i çajit bimor është shoqëruar me vlera më të ulëta të ngurtësimit të mëlçisë.

"Ekzistojnë të dhëna epidemiologjike, por edhe eksperimentale që sugjerojnë se kafeja ka përfitime shëndetësore në ngritjet e enzimeve të mëlçisë, hepatitin viral, NAFLD, cirrozë dhe kancerin e mëlçisë", thotë dr. Sarwa Darwish Murad, hepatologe në Qendrën Mjekësore të Universitetit Erasmus MC. "Përveç mëlçisë, kafja është demonstruar të jetë e lidhur në mënyrë inversive me vdekshmërinë e përgjithshme në popullatën e përgjithshme. Mekanizmi i saktë është i panjohur, por mendohet se kafeja ushtron efekte antioksidante. Ishim kuriozë të zbulonim nëse konsumi i kafesë do ta kishte ndonjë efekt të ngjashëm në matjet e ngurtësimit të mëlçisë në individët pa sëmundje kronike të mëlçisë".

Studimi u publikua më 6 qershor në Journal of Hepatology.