Osteoporoza: 1 në 3 gra dhe 1 në 5 burra probleme me kockat

Osteoporoza: 1 në 3 gra dhe 1 në 5 burra probleme me kockat

20 tetor 2017 13:59

Pas moshës 20 vjeç, hollimi i kockave është një proces natyral i cili nuk mund të ndalet plotësisht, prandaj ndërgjegjësimi për osteoporozën duhet të fillojë që në moshë të re. Mënyra më e mirë për të parandaluar dobësimin e kockave është fillimi i aktivitetit fizik dhe ushqyerja e shëndetshme që në fëmijëri, dhe ruajtja e këtyre zakoneve dhe në moshë të rritur

Osteoporoza është një sëmundje gjatë së cilës densiteti i kockës dhe cilësia e saj reduktohet gradualisht duke e bërë më të thyeshme. Humbja e masës kockore ndodh në mënyrë të heshtur dhe graduale, shpesh pa simptoma deri sa ndodh fraktura e parë. Në shumë raste është ajo që evidenton osteoporozën, prandaj dhe është quajtur “epidemi e heshtur”.

Të rrezikuar

Osteoporoza prek femrat dhe meshkujt. Shpesh osteoporoza mendohet si sëmundje e femrave, por ajo prek miliona meshkuj anembanë botës. Rreziku i frakturave te meshkujt është më i madh se rreziku i zhvillimit të kancerit të prostatës. Frakturat janë më të pakta te meshkujt, por kur ato ndodhin kanë një nivel më të lartë paaftësie e vdekshmërie sesa te femrat. Shumica e tyre madje as janë identifikuar apo trajtuar për këtë sëmundje “të heshtur”, edhe pasi ata kanë pasur një frakturë/thyerje.

Shkaqet

Mosha, humbja e indit kockor në përgjithësi fillon pas moshës 40-50 vjeç, atëherë kur organizmi ynë nuk është në gjendje të zëvendësojë indin kockor me të njëjtin ritëm me të cilin e humbet atë. Kështu me rritjen e moshës rreziku për osteoporozë rritet. Gjinia, gratë në mënyrë të veçantë, sidomos mbas menopauzës, janë më të rrezikuara për osteoporozë. Ndryshimet hormonale të cilat ndodhin në menopauzë janë një nga arsyet pse femrat janë në rrezik më të lartë për osteoporozë sesa meshkujt. Histori familjare (familjarë të afërt sidomos prindërit) me osteoporozë ose thyerje që rezultojnë pas një goditjeje apo rënieje fare të vogla tregojnë rrezik për osteoporozë. Një frakturë e mëparshme fare pa shkak rrit rrezikun për një frakturë tjetër gati 2 herë. Menopauza, gratë në menopauzë duhet të jenë më vigjilente për shëndetin e kockave të tyre. Hypogonadizmi te meshkujt-ashtu si deficiti i hormoneve estrogjen te femrat në menopauzë, deficiti i androgjenëve te meshkujt rrit rrezikun për osteoporozë. Përdorimi për një kohë të gjatë i disa medikamenteve, si: kortizonikë, hormone të tiroides, antiepileptikë, citostatikë etj. Artriti reumatoid dhe disa sëmundje kronike si malabsorbimi, sëmundje kronike të mëlçisë, hyperthyroidismi etj. Megjithëse faktorët e mësipërm nuk mund të ndryshohen, njerëzit duhet të jenë në dijeni të tyre në mënyrë që të marrin masa për të reduktuar humbjen e masës kockore sa më shpejt të jetë e mundur. Për parandalimin dhe menaxhimin e osteoporozës është e rëndësishme që njerëzit të njohin faktorët e rrezikut individual. Disa prej faktorëve rrezikues për osteoporozën mund të mbahen nën kontroll, pra janë të modifikueshëm. Konsumin e lartë të alkoolit- njerëzit që pinë më shumë se 2 njësi në ditë alkool rrisin deri 40% rrezikun për frakturë nga osteoporoza. Pirjen e duhanit-studimet tregojnë se ata që pinë duhan janë më të rrezikuar se ata që nuk pinë. Indeksin e ulët të masës trupore – nëse < 19-20kg/m2, kjo është e lidhur me humbjen e masës kockore dhe rritjen e rrezikut për fraktura. Ushqyerjen e varfër me kalcium dhe proteina, e cila rrit rrezikun për osteoporozë. Marrjen e paktë/deficiti në vitaminë D – vitamina D është esenciale sepse ndihmon në përthithjen e kalciumit në gjak. Aktivitetin e paktë fizik- njerëzit që bëjnë jetë sedentare kanë më tepër mundësi për fraktura. P.sh. femrat të cilat rrinë ulur për më tepër se 9 orë në ditë kanë 50% më tepër mundësi për fraktura të legenit sesa ato që rrinë ulur më pak se 6 orë.

Shenjat

Duke qenë se humbja e masës kockore gjatë osteoporozës ndodh gradualisht dhe është e padhimbshme, ajo nuk ka simptoma të dukshme që tregojnë se një person është duke zhvilluar osteoporozën. Për këtë arsye osteoporoza quhet “epidemi apo sëmundje e heshtur”. Megjithatë, disa shenja si dhimbja e lehtë, reduktimi i gjatësisë trupore me disa cm apo frakturat mund të jenë të lidhura me osteoporozën. Shpesh shenja e parë e osteoporozës është fraktura/thyerja e kockës. Një pjesë e mirë e rasteve janë fare pa shenja dhe osteoporoza konstatohet rastësisht mbas kryerjes së një testi të matjes së densitetit kockor.

Parandalimi

Pas moshës 20 vjeç, hollimi i kockave është një proces natyral i cili nuk mund të ndalet plotësisht, prandaj ndërgjegjësimi për osteoporozën duhet të fillojë që në moshë të re. Mënyra më e mirë për të parandaluar dobësimin e kockave është fillimi i aktivitetit fizik dhe ushqyerja e shëndetshme që në fëmijëri, dhe ruajtja e këtyre zakoneve dhe në moshë të rritur. Kryerja e ushtrimeve të rregullta fizike luan një rol të rëndësishëm në ndërtimin dhe mbajtjen e masës kockore. Ushtrimet janë individuale, por përgjithësisht shumica e njerëzve kanë nevojë për 30-40 minuta aktivitet fizik, 3 deri 4 herë në javë. Marrja e kalciumit në sasi të mjaftueshme-sasia e kalciumit që duhet të konsumojmë ndryshon në stade të ndryshme të jetës. Kërkesat për kalcium janë të larta në vitet e adoleshencës. Me kalimin e moshës aftësia e trupit për të absorbuar kalcium ulet. Ushqimet e pasura me kalcium janë: qumështi e produktet e tij, perimet jeshile si brokoli, lakra jeshile, disa fruta si portokalli, kajsia, fiqtë e thatë, peshku i konservuar, sardelet, arrat, bajamet, drithërat, lëngjet e frutave etj. Vitamina D është gjithashtu esenciale për absorbimin e kalciumit. Ekspozimi për 15 minuta në ditë në diell i duarve, krahëve dhe fytyrës, është zakonisht i mjaftueshëm për prodhimin e vitaminës D për shumicën e njerëzve. Vitamina D mund të sigurohet edhe nga ushqimet dhe suplementët. Ushqime të pasura me vitaminë D janë vaji i peshkut, veza, mëlçia, drithërat etj. Ndjekja e një stili të shëndetshëm jetese është pjesë e kujdesit për kocka të shëndetshme. Mënjanimi i duhanpirjes, pirja e moderuar e alkoolit dhe mbajtja e peshës trupore brenda kufijve të normës, janë disa faktorë të rëndësishëm. Kafeina dhe kripa mund të rrisin humbjen e kalciumit nga trupi, prandaj nuk duhet të merren në sasi të tepërta. Alkooli duhet gjithashtu të merret në sasi të moderuar. Megjithëse nuk ka të dhëna bindëse që tregojnë se pijet e gazuara joalkoolike (p.sh. pijet cola) dobësojnë kockat, nuk duhet tepruar me to. Ndërgjegjësimi për faktorët e rrezikut. Çdo njeri duhet të jetë i vetëdijshëm për çdo faktor rreziku personal që mund të ndikojë në shëndetin e kockave, dhe të konsultohet me mjekun nëse është në rrezik.

Komentet

Shto koment

Të ngjashme