Lifestyle

Çdo e katërta 14-vjeçare është depresive

24% e vajzave dhe 9% e djemve në moshën 14-vjeçare janë depresivë.

Këto janë konkluzionet e një studimi të ri të udhëhequr nga akademikë nga Universiteti i Liverpoolit dhe Londrës. Gjysma e të gjitha rasteve me probleme mentale fillojnë në moshën 14-vjeçare, gjë që tregon se parandalimi dhe mbështetja e hershme për fëmijët janë çelësi, transmeton koha.net.

"Ky studim na jep dëshminë më të plotë të nivelit të shëndetit mendor në mesin e fëmijëve në Britaninë e Madhe", tha Anna Feuchtwang, drejtoreshë ekzekutive e Bordit Kombëtar të Fëmijëve. "Me një të katërtën e katërmbëdhjetëvjeçareve që tregojnë shenja të depresionit, është e qartë se ky problem po e arrin një pikë kritike".

Disa kanë sugjeruar se rrjetet sociale e luajnë një rol të rëndësishëm në krijimin e presionit në shumë vajza gjatë adoleshencës. "Ne dimë që adoleshentet përballen me shumë presione, duke përfshirë stresin në shkollë, problemet me pamjen fizike, abuzimet dhe presionet shoqërore", tha Marc Bush, këshilltar kryesor për politika në organizatën bamirëse "Young Minds".

Një tjetër zbulim habitës është një mospërputhje e madhe midis raporteve të prindërve mbi mirëqenien e fëmijës dhe raporteve të vetë fëmijëve. Prindërit i kanë njohur simptomat e depresionit në vetëm 18% të rasteve në vajza dhe 12% në djemë.

"Është e rëndësishme që si fëmijët ashtu edhe prindërit e tyre ta njohin depresionin me kohë për t’i rritur shanset për zbulimin dhe trajtimin e hershëm", tha Feuchtwang.

Përveç numrit X të kromozomeve, shkencëtarët i kanë vërejtur edhe dy faktorë të tjerë që janë të rëndësishëm për rritjen e gjasave të simptomave të depresionit, dhe këto janë etniciteti dhe të ardhurat familjare.

Vajzat me ngjyrë të bardhë dhe me ngjyrë të përzier të lëkurës kishin më shumë gjasa të raportojnë simptoma të depresionit (25%), ndërsa afrikano-amerikanet kishin më së paku gjasa (10%). Kur bëhet fjalë për djemtë, ata nga martesat e përziera racore kishin gjasa më të mëdha të kenë simptoma të depresionit (15%), ndërkohë që kjo përqindje për djemtë me prejardhje prej Bangladeshit apo Indisë është më e vogël (5%).

Është zbuluar, gjithashtu, se vajzat nga familjet me të ardhura më të larta kishin më pak gjasa të kenë depresion sesa bashkëmoshataret e tyre me të ardhura më të ulëta. Këtë trend e ndryshojnë vajzat nga 20% e familjeve më të varfra që raportojnë më pak simptoma të depresionit, ndryshe nga vajzat që vijnë nga familjet me kushte më të mira ekonomike. Në të dy rastet, nuk është plotësisht e qartë nëse ka dallime të mëdha në shkallën e depresionit midis grupeve të ndryshme ose ka më shumë gjasa që anëtarët e njërit grup të caktuar të raportojnë depresion, ndryshe nga anëtarët e grupit tjetër.

Të gjitha këto informacione janë pjesë e “Millenium Cohort Study”, i cili e ka përcjellë jetën e më shumë se 19.000 fëmijëve në Britani të Madhe, të cilët kanë lindur në kapërcyellin e mijëvjeçarit të ri. Shëndeti i tyre mendor është përcjellë që nga mosha trevjeçare.

Megjithëse rezultatet janë të dobishme për t’i treguar nivelet alarmante të depresionit në mesin e adoleshentëve sot, nevojiten më shumë informacione për t’i kuptuar më mirë arsyet që qëndrojnë prapa trendit dhe për t’i sqaruar pasojat e këtij trendi.