Rritje dramatike e infeksioneve me HIV në Europën Lindore

Rritje dramatike e infeksioneve me HIV në Europën Lindore

18 tetor 2017 10:45

Sidën shumë e konsiderojnë si një temë, që prek kryesisht Afrikën dhe vende të tjera në zhvillim. Por sinjalet e alarmit po vijnë nga një drejtim tjetër, thekson DW në një analizë. Ka një rritje dramatike të infeksioneve HIV në Europën Lindore.

OKB-ja u ka bërë thirrje shteteve europiane, që t'i kundërvihet bashkarisht përhapjes së sëmundjes së dobësimit të imunitetit Sida dhe virusit HIV.

Europa ndodhet sot para një sfide më të madhe se Afrika, kur është fjala për luftimin e HIV dhe të Sida-s, tha zëvendësdrejtori i Programit të OKB-së për Sida-n(UNAIDS), Luiz Loures, në Berlin. Në këtë kontekst ai iu referua rritjes së jashtëzakonshme të infeksioneve të reja në Europën Lindore dhe në Azinë Qendrore, veçanërisht në Rusi.

Eksperti u shpreh në hapje të konferencës së ekspertëve, që po zhvillohet në Berlin. Veprimet e mëvetësishme në nivel kombëtar në sfondin e valës së migracionit brenda Europës nuk mund ta kufizojnë këtë problem, theksoi Loures.

Sylvia Urban, nga kryesia e Aleancës së Aksionit kundër Sida-s në Gjermani, shtoi: "Ne po përjetojmë në rajon ndërkohë një katastrofë." Në Rusi, vendi më i prekur i rajonit, vitin e kaluar numri i infeksioneve e tejkaloi shifrën e 100.000. Krahasuar me këtë në Gjermani vitin e kaluar numri i rasteve të reja me infeksionin HIV është 3200. Rritja e infeksioneve të reja dhe e rasteve të vdekjeve nga Sida në Europën Lindore dhe në Azinë qendrore është përkundër tendencës mbarëbotërore. "Qeveria gjermane duhet të kujdeset, që Europa Lindore të mund të përfitojë nga përvoja e Gjermanisë", theksoi Sylvia Urban.

Duhet gjithashtu të punohet, që diskriminimi të mos vazhdojë të pengojë aksesin e grupeve më të prekura tek masat e profilaksisë dhe trajtimit.

"Përndjekja e homoseksualëve, e konsumatorëve të drogës dhe të tjera pakica është një katastrofë njerëzore dhe e bën të pamundur parandalimin e HIV", tërhoqi vëmendjen Urban.

Komentet

Shto koment

Të ngjashme