Sot Dita Botërore e Ushqimit

Sot Dita Botërore e Ushqimit

16 tetor 2017 07:59

Dita Botërore e Ushqimit kremtohet nga Organizata e Kombeve të Bashkuara për Ushqimin dhe Bujqësinë (FAO) çdo vit në datën 16 tetor (datë kur u krijua FAO në 1945).

Kjo ditë organizohet që prej 1981 dhe synon të sensibilizojë politikë bërësit mbi rëndësinë e ushqimit dhe rolin e tij në shëndetin dhe mirëqenien e individit dhe zhvillimin e mbarë kombeve.

Çdo vit, tema është e ndryshme, por gjithnjë ka për qëllim të sensibilizojë në drejtim të përmbushjes së Objektivave të Mijëvjeçarit për zhdukjen e urisë dhe varfërisë, si dhe uljen e vdekshmërisë dhe përmirësimin e shëndetit mes fëmijëve dhe grupeve vulnerabël.

Prej disa vitesh në këtë datë, edhe Kosova kryen aktivitete sensibilizuese mbi rëndësinë e ushqimit të shëndetshëm në popullatë.

Në rrugën drejtë anëtarësimit në Bashkimin Evropian, Republika e Kosovës është duke bërë transpozimin e legjislacionit të BE-së rreth sigurisë Ushqimore. Rregulloret e reja përmbajnë kritere të reja për OBU-të.

Për një ushqim të mirë

Njihet botërisht roli i ushqyerjes në shëndetin e individit gjatë gjithë ciklit të jetës, duke filluar nga periudha parakonceptimit të fëmijës e deri në pleqëri. Sa më herët të fillohet zbatimi i praktikave të rekomanduara të ushqyerjes, aq më i shëndetshëm do të jetë individi gjatë gjithë jetës.

Ushqyerja e ekuilibruar dhe e përshtatshme e kombinuar me aktivitet fizik të rregullt, janë guri i themelit për një shëndet të mirë dhe njëherësh mjete shumë efikase për parandalimin e shumë sëmundjeve dhe për trajtimin e disa të tjerave. Sigurimi i një ushqyerje të shëndetshme dhe të sigurt gjatë viteve të para të jetës ka përfitime për gjithë jetën.

Kequshqyerja ndodh kur trupi nuk merr sasinë e nevojshme të energjisë (kalorive), proteinave, karbohidrateve, yndyrave, vitaminave, mineraleve dhe lëndëve të tjera të nevojshme për të mbajtur të shëndetshëm organizmin dhe për funksionimin e mirë të tij. Kequshqyerja tek foshnjat dhe fëmijët e vegjël është një faktor kyç themelor jo vetëm për vdekshmërinë foshnjore dhe fëmijërore, por ndikon edhe tek zhvillimi fizik dhe mendor në moshë shumë të re.

Mbi 6 milionë vetë kanë vdekur vetëm këtë vit nga uria dhe sëmundjet që lidhen me mungesën e ushqimit. Më shumë se 850 milionë vetë në botë nuk kanë ushqim të mjaftueshëm. Organizata e Kombeve të Bashkuara për Ushqimin dhe Bujqësinë, FAO, është përpjekur të përmbushë objektivin e pakësimit në masën 50 për qind brenda vitit 2015 të numrit të personave që preken nga uria në botë.

Komentet

Shto koment

Të ngjashme