Gjashtë fjalët që janë çelësi i shuarjes së konfliktit

Gjashtë fjalët që janë çelësi i shuarjes së konfliktit

13 tetor 2017 09:34

Ndonjëherë, njerëzit ju acarojnë me qëllim. Por më shpesh, acarimi është rezultat i keqkuptimit. Cila është mënyra më e mirë për ta rregulluar një keqkuptim? Ta shpjegoni veten. Profesoresha hulumtuese Brené Brown – prezantimi i së cilës në TED është një nga pesë më të shikuarit të të gjitha kohërave – e ka një mënyrë të lehtë gjashtëfjalëshe për të arritur në rrënjën e keqkuptimit. Filloni një fjali me, "Historia që po e trilloj është..." dhe vazhdoni nga aty. Do të habiteni se sa shpejt do të fashiten apo zbehen temperamentet, transmeton koha.net.

Fiksioni i brendshëm

Mendoni për herën e fundit që u grindët me partnerin tuaj, ose u nevrikosët në shefin, ose u ofenduat nga ndonjë mik i ngushtë. Pasi që gjithçka u qetësua, sa prej konfliktit ishte e vërtetë?

Dhe anasjelltas, sa nga konflikti ishte diçka që e kishit trilluar në kokën tuaj?

Brown e jep një shembull të një trillimi të tillë në librin e saj “Rising Strong”: pas një dite shumë të rëndë, burri i saj Steve e hapi frigoriferin dhe tha: "Nuk kemi ushqime. As mish për drekë". Ajo menjëherë ia ktheu, "Po bëj maksimumin që mundem. Edhe ti mund të blesh!"

Steve ishte i hutuar dhe e pyeti atë se çfarë po ndodhte. "E dija saktësisht se çfarë po ndodhte", shkroi ajo. "E kisha shndërruar komentin e tij në një histori rreth asaj se si jam një partner dhe nënë e paorganizuar, jo e besueshme. Kërkova falje dhe e fillova fjalinë tjetër me shprehjen që është bërë shpëtimtare e martesës, prindërimit dhe jetës sime profesionale: Historia që po e trilloj është se je duke më fajësuar mua që nuk kemi gjëra ushqimore, se unë e kam djallosur." Ai nuk po më fajësonte, natyrisht. Steve ishte vetëm i lodhur dhe i uritur.

Shqyrtoni dhe shfaqni emocionet

Çelësi për t’i treguar një personi se po e trilloni një histori është, së pari, që këtë t’ia pranoni vetes tuaj. Kur t’i njihni trillimet në kokën tuaj, ju mund t’u jepni fund atyre. Çfarë ju bëri të mendoni në këtë mënyrë? Cilat janë emocionet prapa historisë në fjalë? Sapo t’i hetoni historitë që i trilloni, ju mund t'i sfidoni ato dhe të arrini në të vërtetën e saktë.

Në të njëjtën kohë, ju e bëni veten të prekshëm ndaj personit tjetër. E njëjta mënyrë se si qentë e ekspozojnë barkun e tyre për ta shmangur luftën, duke i ekspozuar emocionet tuaja të pakëndshme ndaj një personi tjetër, ju mund t'i shtyni ata që të mos “sulmojnë” gjithashtu. Pas shuarjes së “zjarrit”, të dy mund ta merrni më lehtë perspektivën e personit tjetër dhe ta gjeni një zgjidhje të drejtë për çështjen në fjalë.

Për t'i mposhtur më mirë tregimet në kokën tuaj, Brown sugjeron t'ia bëni vetes tri pyetje:

1. Cilat janë faktet dhe cilat janë supozimet e mia?

2. Çfarë duhet të di për personat e përfshirë?

3. Çfarë ndjej me të vërtetë? Cilin rol e kam luajtur?

Kjo mund të çojë në disa zbulime befasuese. Ndoshta ajo ndjenjë e zemërimit vjen nga ndonjë ndjenjë më e thellë e fajit, apo pikëllimit, apo frikës. Nuk është gjithmonë e rehatshme t’i shqyrtojmë të vërtetat që qëndrojnë prapa ndjenjave tuaja, por është shumë më e këndshme sesa të jetosh në konflikte të vazhdueshme. Kështu që herën tjetër kur ju shqetëson ndonjë person i dashur ose ndonjë koleg, filloni fjalinë tuaj të ardhshme me këto gjashtë fjalë: "Historia që po e trilloj është..."

© KOHA. Të gjitha të drejtat janë të rezervuara.

Komentet

Shto koment

Të ngjashme