Ulen lindjet me defekte të zemrës pas shtimit të acidit folik në ushqim

Ulen lindjet me defekte të zemrës pas shtimit të acidit folik në ushqim

12 tetor 2017 08:16

Futja në dietë e ushqimeve të fortifikuara me acid folik në Kanada u shoqërua me një rënie në foshnjat e lindura me defekte në zemër, zbuloi një studim i ri.

Hulumtuesit i shqyrtuan të dhënat nga rreth 6 milionë lindje në Kanada. Lindjet kanë ndodhur mes viteve 1990 dhe 2011. Fortifikimi i ushqimit me acid folik u bë i detyrueshëm për të gjitha llojet e miellit, makaronave të pasuruara dhe miellit të misrit në vitin 1998 në Kanada, transmeton koha.net.

Gjatë periudhës së studimit, ka pasur një rënie prej 11 për qind në normat e defekteve të zemrës në lindje, në përgjithësi. Por rëniet nuk janë parë në të gjitha llojet e defekteve në zemër, të pranishme në lindje.

Rëniet më të mëdha - ndërmjet 15 dhe 27 për qind - ishin tek defektet strukturore të zemrës, si vrimat në muret e zemrës ose një ngushtim i arteries kryesore (aortës) e cila e mbart gjakun në trup nga zemra, konstatuan hulumtuesit.

Por, nuk ka pasur ulje në defektet e zemrës në lindje të shkaktuara nga anomalitë e numrit të kromozomeve të një fëmije, treguan rezultatet.

Rreth 650.000 deri në 1,3 milionë fëmijë dhe të rritur në Shtetet e Bashkuara kanë sëmundje kongjenitale të zemrës, thonë studiuesit. Vrima në murin e një prej ventrikulave të zemrës është lloji më i zakonshëm i defektit te fëmijët. Këto defekte llogariten për pothuajse 620.000 të raste, shtojnë studiuesit.

Mungesa e acidit folik gjatë shtatzënisë mund ta shkaktojë një varg të komplikimeve. Këto komplikime përfshijnë anemi dhe defekte të tubit nervor (si spina bifida, një anomali e shtyllës kurrizore dhe palcës kurrizore), shpjegojnë studiuesit.

Femrat të cilat kanë gjasa të mbeten shtatzënë duhet të fillojnë të marrin acid folik para ngjizjes, sepse ato mund të mos marrin acid folik të mjaftueshëm vetëm nga dieta e tyre, tha autori i lartë i studimit, dr. K.S. Joseph. Ai është profesor i obstetrikës dhe I gjinekologjisë në Universitetin e British Columbia në Vancouver.

Joseph shtoi se gjetjet e studimit kanë të ngjarë të vlejnë edhe për popullsinë e SHBA-së. Kjo për shkak se Shtetet e Bashkuara filluan me fortifikimin e ushqimeve me acid folik rreth së njëjtës kohë si edhe Kanadaja, tha ai.

Edhe pse studimi e gjeti një lidhje në mes të fortifikimit të ushqimit me acid folik dhe një rënie në disa defekte nga lindja të lidhura me zemrën, ai nuk e dëshmoi ndonjë marrëdhënie shkak-pasojë.

Studimi u publikua më 29 gusht në revistën Circulation.

© KOHA. Të gjitha të drejtat janë të rezervuara.

Komentet

Shto koment

Të ngjashme