Seksi në moshë të shtyrë i mirë për femra, por jo edhe për meshkuj

Seksi në moshë të shtyrë i mirë për femra, por jo edhe për meshkuj

04 tetor 2017 16:10

Seksi mesatar, më i rrallë, mund të jetë më i mirë për shëndetin e meshkujve më të moshuar sesa seksi sa më i shpeshtë dhe më i mirë i mundur, sipas një studimi të kohëve të fundit.

Derisa femrat përfitojnë nga seksi i mirë, hulumtuesit në Universitetin Shtetëror të Michiganit konstatuan se meshkujt të cilët kanë shpesh marrëdhënie seksuale shumë të kënaqshme kanë dy herë më shumë të ngjarë të zhvillojnë sëmundje kardiovaskulare ose të përjetojnë ngjarje negative shëndetësore të lidhura me zemrën, transmeton koha.net.

Studimi, i publikuar në “Journal of Health and Social Behavior”, duket se i kundërshton dekada të hulumtimit të cilat kanë folur vazhdimisht për dobitë shëndetësore të seksit për meshkujt dhe femrat, por studiuesja kryesore Hui Liu tha se ky studim dallon nga studimet e tjera për shkak se ai u përqendrua vetëm tek të moshuarit, gjë që është një dallim.

"Këto rezultate e sfidojnë supozimin gjerësisht të pranuar se seksi sjell përfitime të njëjta shëndetësore për të gjithë", tha Liu, profesoreshë e sociologjisë në Universitetin Shtetëror të Michiganit, në një njoftim për shtyp.

Për këtë studim, hulumtuesit e shqyrtuan studimin dhe të dhënat mjekësore për 2,204 meshkuj dhe femra të mbledhura për herë të parë në vitet 2005 dhe 2006, si pjesë e National Social Life, Health and Aging Project. Të dhënat përcjellëse mjekësore u mblodhën pesë vjet më vonë për rreziqet kardiovaskulare shëndetësore, si hipertensioni, ritmi i shpejtë i zemrës dhe niveli i ngritur i proteinës reaktive-C, si dhe ngjarjet shëndetësore si sulmi në zemër, dështimi i zemrës dhe sulmi në tru.

Studiuesit zbuluan se meshkujt më të moshuar që bëjnë seks një herë në javë ose më shumë kishin dy herë më shumë të ngjarë ta kenë ndonjë ngjarje shëndetësore kardiovaskulare sesa ata që ishin seksualisht joaktivë, dhe ata që e përshkruan seksin e shpeshtë si "jashtëzakonisht të kënaqshëm" ishin në rrezik edhe më të lartë.

Femrat të cilat e kishin jetën e tyre seksuale jashtëzakonisht të pëlqyeshme apo të kënaqshme e kishin një rrezik më të ulët të hipertensionit gjatë një periudhe pesëvjeçare sesa ato që ishin më pak të kënaqura me seksin, gjë që Liu tha se duket të jetë një efekt mbrojtës i seksit të mirë në shëndetin kardiovaskular.

Ndërsa Liu tha se një kombinim i marrëdhënieve më të mira – duke raportuar se seksi i mirë është shpesh tregues i një marrëdhënie të mirë emocionale - dhe hormoneve të liruara gjatë orgazmës mund të jetë arsyeja për përfitimin e femrave nga seksi i mirë.

Liu tha se ishte habitur nga rezultatet për meshkujt, për shkak të hulumtimeve të mëparshme, por tha se një kombinim i më shumë përpjekjeve fizike të nevojshme për meshkujt më të moshuar për të arritur orgazëm, nivelet e testosteronit dhe përdorimi i ilaçeve për ta përmirësuar funksionin seksual mund të kenë efekt në shëndetin kardiovaskular.

Dëshira seksuale e meshkujve mund të bëjë që ata ta injorojnë faktin nëse janë fizikisht të aftë për të pasur marrëdhënie seksuale, e lëre më nëse është e këshillueshme, duke i bërë faktorët e rrezikut për shëndetin më të dukshëm.

"E gjitha ka të bëjë me të qenit të kujdesshëm dhe të kuptuarit e faktorëve të rrezikut", tha Laura Berman, asistente profesoreshë klinike e obstetrikës dhe gjinekologjisë në Universitetin Northwestern, për CNN. "Nëse flasim për skenarin tipik seksual për shumicën e meshkujve të moshës së shtyrë, ai është sipër, duke e bërë punën. Për mua ka kuptim se kjo mund të nënkuptojë më shumë faktorë të rrezikut për një mashkull të moshuar sesa një femër të moshuar".

Liu tha se meshkujt e moshuar duhet të bisedojnë me mjekët e tyre nëse është e këshillueshme që të bëjnë seks. Për pacientët të cilët kanë pasur tashmë probleme me zemër apo probleme të tjera shëndetësore, disa mjekë rekomandojnë që seksi nuk është i këshillueshëm, derisa pacienti të mundë të ngjitet dhe të zbresë në një palë shkallë pa vështirësi.

"Mjekët duhet të bisedojnë me pacientët e moshuar meshkuj në lidhje me rreziqet e mundshme të niveleve të larta të aktivitetit seksual dhe ndoshta t’i ekzaminojnë ata që kanë shpesh marrëdhënie seksuale për ndonjë problem kardiovaskular", tha Liu.

© KOHA. Të gjitha të drejtat janë të rezervuara.

Komentet

Shto koment

Të ngjashme