Kur bëhet koronarografia dhe përse shërben

Kur bëhet koronarografia dhe përse shërben

29 shtator 2017 11:07

Nga koronarografia i sëmuri me zemër ka përfitim të drejtpërdrejtë, që lidhet dhe me cilësinë e jetës, ku largimi i dhimbjes së gjoksit si rrjedhojë e hapjes së ngushtimit, i rikthen këta pacientë në një përditshmëri të pakufizuar

Bllokimi i enëve të gjakut mund të jetë fatale për të sëmurët me zemër. Nëse ky problem kapet në kohë dhe arrihet të diagnostikohet mund të parandalohen një sërë problemesh e deri te një infarkt i mundshëm nga ngushtimi kritik i enëve koronare. Në një intervistë doktor Taulant Gishto, mjek në Shërbimin e Kardiologjisë në Qendrën Spitalore Universitare “Nënë Tereza”, sqaron se diagnostikimi i problemeve koronare bëhet përmes koronarografisë, një procedurë diagnostikuese dhe intervencionuese apo ndërhyrëse (PCI). Sikurse shpjegon doktori, nga kryerja e kësaj procedure, “pacienti ka përfitim të drejtpërdrejtë që lidhet dhe me cilësinë e jetës, ku largimi i dhimbjes së gjoksit si rrjedhojë e hapjes së ngushtimit, i rikthen këta pacientë në një përditshmëri të pakufizuar. Përfitimi i pacientëve që janë duke kaluar një infarkt akut miokardi është i jashtëzakonshëm, pasi sa më shpejt të futet pacienti në sallën e hemodinamikës dhe sa më shpejt të hapet ena përgjegjëse për infarktin, aq më shumë ind muskulor ruhet pa u dëmtuar dhe aq më pak invalidizohet pacienti, pasi ka kaluar fazën akute të infarktit. Duhet përmendur këtu dhe rëndësia e pazëvendësueshme e kësaj procedure në uljen drastike të humbjes së jetës së pacientit në fazën akute”.

-Çfarë është koronarografia dhe cilat janë rreziqet nga kryerja e saj?

Koronarografia është një procedurë diagnostikuese dhe intervencionuese apo ndërhyrëse (PCI). Në fazën e parë, bëhet diagnostikimi i problemeve koronare (bllokimi i enëve të gjakut që ushqejnë zemrën) dhe nëse problemet mund të trajtohen sipas kritereve përcaktuara, kalohet në fazën ndërhyrëse. Rreziqet e koronarografisë, janë nga risqet që mund të lidhen me komplikacionet lokale si hematoma apo disekimi i arteries femorale (çarje e murit të aortës), komplikacionet që mund të lidhen me lëndën e kontrastit që përdoret në ekzaminim, deri te komplikacionet më problematike si disekimi i arterieve koronare, tromboza brenda stentit deri në humbjen e jetës.

-Në cilat raste rekomandohet të kryhet ky ekzaminim?

Ky ekzaminim rekomandohet në pacientët ku dyshohet ngushtimi i arterieve koronare nëpërmjet informacioneve që vijnë nga ankesat e pacientit; nga ndryshimet në elektrokardiogramë; në ekokardiogramë; nga të dhënat indirekte që marrim nga prova ushtrimore apo të dhënat imazherike që vijnë nga angio-CT koronar. Pavarësisht dyshimeve që vijnë nga ekzaminimet e mësipërme, për përcaktimin e saktë të problemeve koronare shërben koronarografia. Ndërsa rastet kur koronarografia është fortësisht e indikuar, janë rastet me infarkt akut miokardi të 12 orëve të para nga fillimi i dhimbjes, ku revaskularizimi i enës së mbyllur nëpërmjet procedurës së PCI është jetëshpëtues në shumicën e rasteve.

-Çfarë përfiton pacienti, nga kryerja në kohë e këtij ekzaminimi?

Përfitimi i pacientëve me anginë të paqëndrueshme lidhet me faktin që këtyre pacientëve nëpërmjet PCI apo ndërhyrjes me stente mund t’u parandalohet një infarkt i mundshëm nga ngushtimi kritik i enëve koronare. Përfitim i drejtpërdrejtë lidhet dhe me cilësinë e jetës, ku largimi i dhimbjes së gjoksit si rrjedhojë e hapjes së ngushtimit, i rikthen këta pacientë në një përditshmëri të pakufizuar. Përfitimi i pacientëve që janë duke kaluar një infarkt akut miokardi është i jashtëzakonshëm, pasi sa më shpejt të futet pacienti në sallën e hemodinamikës dhe sa më shpejt të hapet ena përgjegjëse për infarktin aq më shumë ind muskulor ruhet pa u dëmtuar dhe aq më pak invalidizohet pacienti, pasi ka kaluar fazën akute të infarktit. Duhet përmendur këtu dhe rëndësia e pazëvendësueshme e kësaj procedure në uljen drastike të humbjes së jetës së pacientit në fazën akute.

-Në varësi të rezultatit të koronarografisë, cilët janë hapat e mëpasshëm që duhet të ndjekë mjeku dhe pacienti?

Në rast se pacienti stentohet (zgjerohet ena e gjakut) me sukses, ndiqet si protokoll vlerësimi i pacientit 4 herë brenda vitit të parë pas procedurës, që përkthehet në muajin e parë, të tretë, të gjashtë dhe të dymbëdhjetë pas procedurës. Nëse pacienti shfaq shqetësime, ai duhet t’i paraqesë ato në çdo moment te mjeku kurues. Pacientët që kryejnë koronarografinë, kontrolle të herëpashershme duhet të kryejnë edhe pranë mjekut të familjes e më pas bazuar në sistemin e referimit, tek kardiologu i poliklinikës apo rrethit ku banojnë.

-Në punën tuaj të përditshme, cilat janë rastet më të ndërlikuara?

Rastet më të vështira, në punën tonë të përditshme janë ato që lidhen me ndihmën e pacientëve që janë në fazën e infarktit akut të miokardit. Kjo pasi shpeshherë këta pacientë shfaqen në gjendje të dekompensuar, e shoqëruar me gjendje shoku kardiogjen, një situatë jete kërcënuese, ku zemra ka humbur funksionin pompë si rrjedhojë e infarktit.

Këshilla

Disa këshilla për pacientët, para dhe pas kryerjes së koronarografisë.

Këshillat rutinë të pacientëve, përpara procedurës së koronarografisë, lidhen me holluesit (medikamentet) që përdoren përpara procedurës. Pacientit i rekomandohet të jetë i pangrënë atë ditë që kryen procedurën.

Ne si staf, nga ana jonë e përgatisim pacientin me të gjitha ekzaminimet përpara procedurës, ku standardet përfshijnë gjak komplet, bilanc biokimik, EKG, eko kardiake, grafi pulmoni.

Pas procedurës pacientëve u rekomandohet marrja e 1.5 deri në 2 litra ujë të mara në 2 orët e para, në mënyrë që të kemi sa më pak komplikacione nga lënda e kontrastit që përdoret gjatë procedurës.

Nëse procedura është e suksesshme dhe pacienti nuk ka kaluar një infarkt akut miokardi mund të dalë nga spitali pas 48 orëve. Në të kundërt nëse është stentuar një pacient që ka kaluar infarkt, duhet të presim ditë qëndrimin sipas protokollit në këta pacientë. Më pas, pas daljes nga spitali me mjekimet që u shënohen në fletëdalje, pacientët duhet të drejtohen pranë mjekut të familjes për të kryer procedurat e marrjes së medikamenteve me rimbursim në rastet kur kanë nevojë.

Komentet

Shto koment

Të ngjashme